Tech

Twitteri i njofton sot punëtorët që do t’i pushojë nga puna

Twitteri ka thënë se do ta informojë stafin të premten nëse ata do të pushohen nga puna pas marrjes në pronësi të firmës nga Elon Musk.

Në një email të brendshëm, kompania e rrjetit social ka thënë se pushimet nga puna janë “një përpjekje për ta vënë Twitterin në një rrugë të shëndetshme”, raportoi BBC të premten.

Ai njoftoi se zyrat do të jenë të mbyllura përkohësisht dhe se kartelat për qasje në to do të suspendohen.

Multi-miliarderi do të jetë shefi ekzekutiv i Twitterit pasi e ka blerë kompaninë javën e kaluar për 44 miliardë dollarë.

“Ne do të shkojmë përmes një procesi të vështirë të reduktimit të forcës tonë punëtore në botë, të premten”, thuhet në email.

I gjithë stafi pritet të marrë një email me subjekt, “Roli yt në Twitter”, të premten.

Punëtorët që nuk preken nga vendimi, do të njoftohen përmes emailit të tyre të kompanisë.

Kurse, ata që preken do t’u tregohen “hapat e radhës” në llogarinë personale të tyre.