Tech

TikTok-u po planifikon të ngrejë dy qendra të tjera në Evropë

TikToku ka bërë të ditur se po planifikon të ngrejë dy qendra të tjera evropiane të të dhënave, në përpjekje për të zbutur shqetësimet në rritje për privatësinë e të dhënave për përdoruesit e tij në Perëndim.

Aplikacioni kinez i shpërndarjes së videove të shkurtra ka qenë nën kritika nga autoritetet evropiane dhe amerikane për shqetësimet se mund të mbledhë të dhëna të shumta të përdoruesve dhe t'i dërgojë ato në Kinë.

Menaxheri i përgjithshëm i kompanisë për operacionet evropiane, Rich Waterworth, tha në një postim në blog se është "në një fazë të avancuar të finalizimit të një plani" me një ofrues të palës së tretë për një qendër të dytë të të dhënave në Irlandë. Ajo shpalli qendrën e saj të parë atje vitin e kaluar.

TikToku gjithashtu është në bisedime për të ngritur një qendër të tretë evropiane të të dhënave, pa specifikuar vendndodhjen.

“Për sa i përket ruajtjes lokale të të dhënave, në përputhje me rritjen e komunitetit tonë, ne po kërkojmë të zgjerojmë kapacitetin tonë evropian të ruajtjes së të dhënave”, ka thënë Waterworth.

Të dhënat për përdoruesit evropianë të TikTokut do të migrohen në qendrat e reja duke filluar nga ky vit, tha Waterworth.

TikToku është jashtëzakonisht i popullarizuar te të rinjtë, por pronësia e tij kineze ka ngritur frikën se Pekini mund ta përdorë atë për të mbledhur të dhëna për përdoruesit perëndimorë ose për të nxitur narrativat dhe dezinformatat pro Kinës.

TikToku është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze që e zhvendosi selinë e saj në Singapor në vitin 2020.