Pekin, 2 gusht – Në Kinë, zinxhiri i kafeneve ”Starbucks” së shpejti do të ofrojë një shërbim të ri. Vetëm me një klikim mund të bësh porosi e cila do të dorëzohet në shtëpi apo në zyrë me ndihmën e kolosit të tregtisë online ”Alibaba”, njoftuan sot dy kompanitë, në një moment kur gjiganti amerikan po përballet në një treg kinez, të apasionuar pas konsumimit të kafesë dhe konkurrencës së egër të një rivali lokal në lulëzimin e sipër.
Që nga shtatori, konsumatorët kinezë mund të porositin pijen e tyre ”Starbucks” me një klikim në aplikacionin Ele.me, njësi e dërgimit të porosive katering ”Alibaba” i cili ka si detyrë dërgimin e pijes deri tek konsumatori, me anë të një postieri me motor elektrik, transmeton ATSH shkrimin e AFP-së.
”Jemi të bindur se ky partneritet do të kultivojë kulturën e konsumit të kafesë në Kinë dhe do të shërbejë si një nxitës i fuqishëm për të arritur objektivat e marketingut të grupit dhe ato të biznesit, ende të pastabilizuara, u shpreh i entuziasmuar, CEO i ”Starbucks” Kevin Johnson”, gjatë një konference shtypi në Shangai.
Shërbimi do të propozohet muajin e ardhshëm duke nisur me 150 lokale të markës me imazhin e sirenës në Pekin dhe Shangai, përpara se të zgjerohet në 2 000 kafene në tridhjetë qytete deri në fund të vitit.