OpEd

Pse Kina po e shtyp “Alibaban”?

Mbi të gjitha, shtypja e papritur rregullatore kundër “Alibabas” e lë përshtypjen se zbatimi i ligjit në Kinë është arbitrar. Natyrisht, asnjë ligj nuk zbatohet në një boshllëk. Por, duket se autoritetet kineze i trajtojnë të njëjtat praktika afariste në mënyra drastikisht të ndryshme, kur prioritetet politike ndryshojnë, dhe atëherë kur edhe ligjet relevante mbesin të pandryshuara. Ky rrezik s’do mend se do ta fuqizojë besimin e investuesve te kompanitë e internetit në lulëzim në Kinë

Qëkur autoritetet kineze papritmas e ndërprenë ofertimin e planifikuar fillestar të konglomeratit financiaro-teknologjik “Ant Group” në vjeshtën e 2020-s, kompania e tij simotër, mbreti i e-tregtisë “Alibaba”, është ballafaquar me vëzhgim të ashpër prej rregullatorëve.

Në natën e Krishtlindjes, autoriteti i antitrustit në Kinë ka njoftuar se është duke i hetuar praktikat afariste të kompanisë. Dhe themeluesi i “Alibabas”, Jack Ma, kohë më parë i shleu shqetësimet rreth fatit të tij, duke u shfaqur në publik për të parën herë që prej tetorit të shkuar, kur e kishte mbajtur një fjalim kritikues rreth rregullimit financiar në Kinë.

Vetëm njoftimi për nisjen e hetimeve ndaj “Alibabas” ka avulluar brenda natës më shumë se 100 miliardë dollarë të vlerës në tregun e kompanisë. Duke e pasur parasysh fuqinë gjigante rregulluese të Qeverisë kineze, investuesit janë skajshmërisht të shqetësuar rreth të ardhmes së “Alibabas”. Por, veprimi i papritur dhe agresiv i Qeverisë kundër kompanisë tregon gjithashtu shumë për dobësitë e regjimit rregullator.

Sa për dijeni, Qeveria kineze ka arsye legjitime për të qenë vigjilente kundruall sektorit tejet të koncentruar të internetit në vend. Duke i vënë në shënjestër kompanitë yje, si “Alibaba”, Kina është duke e pasuar një trend global të rregullimit, teksa edhe politikëbërësit amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian po zotohen ngjashëm që të vendosin sanksione më të serta kundër gjigantëve monopolistikë të internetit.

Njëjtë siç amerikanët janë të shqetësuar rreth dominimit të “Amazonit” në shitjet online, edhe konsumatorët kinezë kanë po kaq arsye të mira për të qenë të shqetësuar rreth “Alibabas” Më 2020, hisja e “Amazonit” në tregun amerikan të blerjeve online ishte vetëm pak më ulët se 40 për qind, teksa “Tmall and Taobao” e “Alibabas” e kontrollonte mbi 50 përqindëshin e tregut kinez të e-blerjeve.

Hetimet aktuale ndaj “Alibabas” nuk përbëjnë të parën herë që praktikat afariste të kompanisë i nënshtrohen vëzhgimit të antitrustit. “JD.com”, kompania e dytë më e madhe kineze e e-blerjeve, ka paraqitur ankesë kundër “Alibabas” tek autoriteti kinez i antitrustit më 2015. E pakënaqur me dështimin e perceptuar të autoritetit për të vepruar, “JD.com” ka paraqitur padi kundër “Alibabas” në një gjykatë kineze (rasti është ende në pritje).

Në fakt, “Alibaba” ka qenë më herët larg më dominuese në e-tregti. Në pikun e saj, kur ishte listuar për të parën herë më 2014, kompania numëronte më shumë se 80 përqindëshin e gjithë tregut të blerjeve online në Kinë. Që atëherë, hisja e saj është tkurrur gradualisht nga “JD.com”’ dhe rivalët e tjerë, si “Pinduoduo”.

Andaj, pse ka pritur kaq gjatë autoriteti antitrust i Kinës për të nisur hetime ndaj “Alibabas”?

Shumëkush e ka lidhur fushatën e fundit të antitrustit me fjalimin e Masë në tetor dhe me qëndrimin e tij qartazi kryeneç karshi rregullatorit. Ndonëse vlerësimet e Masë mund të kenë qenë shkaku, arsyeja thelbësore ndërlidhet me inercinë e rregullatorit, një fenomen ky i rrënjosur thellësisht në politikat burokratike të Kinës.

Siç elaboroi edhe në librin tim të ardhshëm, ani pse autoritetet kineze të antitrustit rëndom sfidohen në gjyq, ato duhet që t’i vëzhgojnë nga afër rregullat formale dhe të nënkuptuara të burokracisë dhe të ndërmarrin analiza të kostos dhe përfitimit para se madje ta aktivizojnë rregullatorin. Këta elementë ndikojnë në llojin e rasteve që ngrenë dhe në qasjet që zbatojnë për luftimin e tyre.

Një shtrëngim i tillë ndërlidhet me iniciativat e Qeverisë kineze për promovimin e inovacionit si nxitësin e rritjes ekonomike. Më 2015, për shembull, Këshilli Shtetëror ka shpallur programin “Internet Plus” me synimin për të nxitur më shumë ndërmarrësi në sektorin digjital. Kjo gjë i vuri rregullatorët e antitrustit në një pozitë të vështirë, për shkak se rregullimi skajshmërisht i ashpër mund ta pengojë inovacionin e brendshëm dhe ndërmarrësinë. Dhe gjëja e fundit që zyrtarët e antitrustit duan që të bëjnë është që të veprojnë sipas mënyrave që mund të perceptohen si në kundërshtim me agjendën kombëtare të zhvillimit.

Kjo shpjegon se pse rregullatori kinez i antitrustit ka adoptuar një qasje “të matur dhe tolerante” vizavi sektorit teknologjik. Kur konkurruesit e pakënaqur u ankuan rreth praktikave abuzive afariste të gjigantëve teknologjikë të Kinës, autoriteti parapëlqeu të përdorte mjete relativisht më të buta rregullatore, si Ligjin Anti-Padrejtësi në Konkurrencë dhe Ligjin e e-tregtisë.

Këtyre ligjeve u mungojnë dhëmbët, ngase gjobat më të mëdha që mund të zbatohen nëpërmjet tyre janë relativisht të ulëta. Dhe, në vend të lansimit të investimeve, rregullatori i antitrustit ka kryer intervista administrative me akëcilën prej platformave të mëdha online në natën e Ditës së Beqarëve, ngjarja më e madhe e promovimit të shitjeve me anë të e-tregtisë në Kinë, në një përpjekje për t’i bindur ata që të zbatojnë kushte kufizuese tregtare për blerësit.

Po kështu, rregullatori është përmbajtur në intervenimin për bashkimin e transaksioneve që përfshijnë një “entitet të ndryshueshëm investimi”, strukturë kjo që kanë përdorur shumë kompani teknologjike kineze për t’i anashkaluar kufizimet qeveritare në investimet e huaja për sektorin e internetit. Deri në fillim të vitit të shkuar, me qindra blerje nga “Alibaba” dhe “Tencent” kanë shmangur tërësisht vëzhgimin e antitrustit. Si rezultat i kësaj, kompanitë janë bërë dy më të mëdhatë që kanë investuar në ekonominë digjitale të Kinës, duke e disponuar bashkërisht hisenë më të madhe të sektorit teknologjik.

Kjo inerci rregullatore ka vazhduar deri në debaklin e IPO-së së “Ant Group”-it, kur rregullatori antitrust ka pranuar një sinjal të qartë nga udhëheqësit kryesorë në Kinë për t’i frenuar gjigantët teknologjikë. Por, rregullimi i mëhershëm i butë i autoritetit në këtë rrafsh i ka kontribuar dilemës së pazgjidhshme të së sotmes: kur një monopol shfaqet, ai vështirë se mund të zhbëhet me anë të ligjit të antitrustit.

Siç antitrustet në BE dhe SHBA kanë zbuluar së fundi, ligjet e tilla janë një mjet tepër i topisur për ta luftuar të ashtuquajturën Teknologji e Madhe.

Mbi të gjitha, shtypja e papritur rregullatore kundër “Alibabas” e lë përshtypjen se zbatimi i ligjit në Kinë është arbitrar. Natyrisht, asnjë ligj nuk zbatohet në një boshllëk. Por, duket se autoritetet kineze i trajtojnë të njëjtat praktika afariste në mënyra drastikisht të ndryshme, kur prioritetet politike ndryshojnë, dhe atëherë kur edhe ligjet relevante mbesin të pandryshuara. Ky rrezik s’do mend se do ta fuqizojë besimin e investuesve te kompanitë e internetit në lulëzim në Kinë.

(Angela Huyue Zhang është drejtoreshë e Qendrës për Ligjet Kineze dhe asistent-profesoreshë në Universitetin e Hong-Kongut. Libri i saj “Chinese Antitrust Exceptionalism: How the Rise of China Challenges Global Regulation” do të botohet nga “Oxford University Press” në mars të 2021-s. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).