Kompania e raketave dhe satelitëve, SpaceX, është akuzuar për shkarkimin e paligjshëm të tetë punëtorëve që ishin kritikë ndaj shefit multi-miliarder, Elon Musk, shkruan BBC.
Punonjësit u kanë dërguar një letër të hapur drejtuesve të kompanisë në vitin 2022, duke shprehur në detaje shqetësimet për vendin e punës.
Ankesa e një zyrtari rajonal në Bordin Kombëtar të Marrëdhënieve të Punës (NLRB) akuzoi SpaceX për shkelje të të drejtave të punëtorëve sipas ligjit federal të punës, i cili lejon punëtorët të mbrohen për kushte më të mira pune.
Sipas ankesës, personat e përfshirë në letrën e hapur u morën në pyetje përpara se të liroheshin.
Avokatët e një prej ish-punonjëseve, Deborah Lawrence, thuhet se kanë akuzuar SpaceX se ka një “kulturë toksike”, ku ngacmimi tolerohet.
Nëse SpaceX nuk e zgjidh, çështja do të shqyrtohet nga një gjyqtar administrativ, vendimi i të cilit mund të apelohet në bordin e NLRB-së dhe më pas në një gjykatë federale të apelit. Seanca është caktuar për 5 mars.
Nëse NLRB-ja konstaton se pushimet nga puna shkelnin ligjin e punës, mund të urdhërojë që punëtorët të rikthehen në punë dhe t'u kthehen pagat.
Kompanitë e Muskut janë akuzuar për shkelje të të drejtave të punonjësve edhe më parë.