Kompania e transportit publik të Vjenës, Wiener Linien, është e para në botë që teston një “avatar” për ata që kanë probleme me dëgjim në një aplikacion të transportit publik. Aplikacioni është zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë Sign Time dhe është i disponueshëm për telefonat celularë Android, shkruan TechnoNews.
Siç njoftuan autoritetet e kryeqytetit austriak, “avatari” i gjuhës së shenjave quhet Iris dhe Wiener Linien është në kërkim të vullnetarëve për të testuar përdorimin e tij.
Në mënyrë që edhe njerëzit që përdorin gjuhën e shenjave të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm për një udhëtim të qetë me transport publik, “avatari” i punonjësve të Wiener Linien, Iris, në të ardhmen do të përkthejë informacione të rëndësishme, siç është planifikimi i rrugës së udhëtimit.
Pothuajse 5000 emra stacionesh janë në “avatar”. Çdo informacion përkatës do të jetë i disponueshëm drejtpërdrejt dhe automatikisht në gjuhën gjermane të shenjave.
"Ne jemi gjithmonë duke u përpjekur të përmirësojmë shërbimet tona. Qasja ka shumë aspekte - nga qasja e papenguar në automjete te komunikimi. Është e rëndësishme për ne që të gjithë pasagjerët të marrin informacion në kohë reale", ka thënë përfaqësuesi i kompanisë së shërbimeve Hans Jurgen-Bruto.
Pas fazës së testimit, e cila do të përfundojë në fund të nëntorit, zhvilluesit e “avatarit” do të integrojnë Iris në aplikacionin ekzistues WienMobil, përmes të cilit qytetarët e Vjenës, si dhe turistët, mund të marrin të gjitha informacionet për orarin dhe ndërprerjet në funksionim të mjeteve të transportit publik nga viti 2017.
Blerja e një bilete për transportin publik funksionon lehtë përmes aplikacionit. Përkthime shtesë në gjuhën e shenjave do të përditësohen vazhdimisht. Përveç versionit për telefonat Android, është planifikuar edhe një version për iOS, njoftuan autoritetet e Vjenës.