Sipas raportit të publikuar për shitjen e smartfonëve në tregun global, Huawei i ka livruar 17% të të gjitha telefonave mobilë në tre muajt e parë të vitit 2019. Ky është rekord në shitje për gjigantin kinez, edhe pse ai është në mes të një lufte tregtare midis Kinës dhe SHBA-ve, ku Huawei e ka një rol qendror. Është interesante se të gjithë prodhuesit i livruan 345 milionë njësi së bashku ose 5% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, gjë që është rezultat i kërkesës më të vogël për telefonat mobil në mbarë botën, shkruan KOHA Ditore.

Optimizmi në kompani u rrit fuqishëm pasi që e tejkaloi Apple dhe u bë prodhuesi i dytë më i madh i smartfonëve në botë, dhe kjo e dhënë i inkurajoi edhe më shumë. Ata u inkurajuan aq shumë sa që po flasin hapur për planet për ta tejkaluar Samsungun deri në vitin 2021 dhe të bëhen prodhuesi numër 1 në botë. Vendin e katërt e mban Xiaomi, ndërsa menjëherë pas është Oppo. Këta pesë prodhues e mbajnë mbi 70% të tregut botëror, ndërsa kompanitë më të vogla po zhduken ngadalë. Edhe ish-lojtarët e mëdhenj, si HTC apo Sony, sot janë plotësisht të margjinalizuar.
