Një sulm kibernetik “i pashembullt” dhe i koordinuar ka goditur shumë ofrues të shërbimeve të protokollit të internetit (VoIP) me seli në Mbretërinë e Bashkuar, ka bërë të ditur një organ i industrisë.
Organi i industrisë “Comms Council UK” ka njoftuar se disa nga anëtarët e tij ishin shenjëstruar nga sulmet e shpërndara të mohimit të shërbimit (DDoS), gjatë javëve të fundit.
“Është bërë një kërcënim i përgjithshëm për të gjithë industrinë”, ka shtuar një zëdhënës, duke folur për BBC-në. “Ofcom” ka njoftuar se ishte në dijeni të situatës.
Sulmet DDoS funksionojnë duke përmbytur një faqe apo shërbim me trafik interneti, si përpjekje për ta lënë atë jashtë funksioni apo për ta bërë të paarritshëm.
Në të kaluarën, shpeshherë faqet e internetit janë vënë jashtë funksionit dhe ndonjëherë përdoreshin për të bërë deklarata politike. Por seria e fundit e sulmeve ka shenjëstruar VoIP-në, në një përpjekje të supozuar për t’i zhvatur ato kompani.
Ofruesit e VoIP-së ofrojnë thirrje të bazuara në internet për një sërë klientësh, duke përfshirë bizneset, si dhe shërbimet publike, policinë dhe Shërbimin Ndërkombëtar Shëndetësor në Britani të Madhe, ka raportuar BBC-ja.
Sipas deklaratës së lëshuar nga “Comms Council UK”, sulmet ndaj firmave britanike VoIP kanë ndodhur gjatë katër javëve të fundit dhe “duket se janë pjesë e një fushate ndërkombëtare të koordinuar, që përqendrohet në zhvatje nga kriminelët profesionistë kibernetikë”.
Organi ka bërë të ditur se ishte duke biseduar për këtë çështje me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, “Ofcomin” dhe Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC). Një zëdhënës i “Comms Council UK” në Mbretërinë e Bashkuar ka thënë për BBC-në se nuk ishte në gjendje të specifikonte se sa kompani janë prekur, ndërsa ka shtuar se do ta përshkruante shkallën e sulmit si “të pashembullt”.
“Kurrë nuk kemi parë diçka të tillë qëkur jemi themeluar në vitin 2004”, ka thënë ai. “Kërcënimet për shpërblesë janë bërë ndaj ofruesve të shumtë dhe është bërë një kërcënim i përgjithshëm për të gjithë industrinë”.
“Jemi të vetëdijshëm se disa rrjete kanë pasur probleme së fundmi. Jemi në kontakt me ta për ta përcaktuar shkallën dhe shkakun e problemit, si dhe jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike”, ka thënë një zëdhënës i “Ofcomit”.
Teknologjia për t’i mbrojtur bizneset dhe faqet e internetit kundër sulmeve DDoS është përmirësuar në mënyrë dramatike viteve të fundit, ka thënë eksperti i sigurisë kibernetike, Alan Woodward, nga Universiteti i Surreyt.
“DDoS është paksa befasuese si metodë sulmi”, ka thënë ai. “Ransomware është më i zakonshëm për kriminelët që zhvatin para aktualisht”. NCSC-ja ka thënë se ishte në dijeni të sulmeve DDoS dhe po punonte me partnerët për t’i mbështetur kompanitë e prekura.