Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Samsungu patenton disa ide të pazakonta për telefona

Samsungu, si shumë kompani të tjera, është duke punuar vazhdimisht në një numër të madh idesh dhe zgjidhjesh. Patently Apple tani i ka zbuluar disa patenta për telefona, në të cilat Samsungu është duke punuar potencialisht, raporton Ubergizmo.

Një prej këtyre patentave e përshkruan një telefon i cili e merr idenë nga dizajni i Huawei Mate X. Patenta e përshkruan telefonin i cili shpaloset nga jashtë, ndryshe nga modeli aktual Galaxy Fold i cili paloset nga brenda, shkruan KOHA Ditore. Natyrisht, mbetet të shihet se sa serioz është Samsungu në implementimin e një zgjidhjeje të tillë në disa prej pajisjeve të saj të ardhshme.

Edhe një patentë tjetër është interesante, në të cilën kompania e Koresë së Jugut luan me idenë e krijimit të telefonit modular. Këto module vijnë në formën e “tabeve”, të cilat mund të ngjiten ose shkëputen nga telefoni. Në këtë mënyrë do të ishte e mundur të shtohet harduer i ri, bateri shtesë dhe elemente të tjera.

Idenë e telefonave modularë e kemi parë më parë, por ajo nuk ishte pranuar nga industria e telefonave të mençur. Mbetet të shihet nëse zgjidhjet e Samsungut do të jenë thjesht mbrojtje e ideve apo pjesë e produkteve konkrete.

Artikuj të ngjashëm