Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Projekti Fuchsia OS po përparon, tani ka edhe sajt për developerë

Google dëshiron të sigurohet që nëse Androidi fillon të zbehet ndonjëherë dhe për ndonjë arsye nuk pranohet, në rezervë ta ketë një tjetër sistem operativ. Prandaj, kompania e ka formuar një ekip prej mbi 100 personash që po punojnë në sistemin operativ Fuchsia, në një platformë tjetër me kod (burim) të hapur. Tani Google e ka prezantuar edhe sajtin për developerë për këtë OS: Fuchsia.dev, raporton PhoneArena.

Fuchsia nuk e përdor kernelin Linux ashtu si sistemet operative Android dhe Chrome. Në vend të kësaj ai e përdor mikrokernelin Zirkon. Mikrokerneli është sasia më e vogël e softuerëve të nevojshëm për ta ekzekutuar sistemin operativ. Fuchsia sigurisht funksionon ndryshe nga Androidi, por cross-platforma Flutter SDK do t’ua mundësojë developerëve Android që t’i portojnë shpejt aplikimet e tyre në Fuchsia, shkruan KOHA Ditore.

Nëntorin e kaluar Fuchsia OS e shtoi mbështetjen për çipsetin Huawei Kirin 970 dhe sistemi operativ u fut me sukses në Honor Play. Megjithatë, nevojitet edhe shumë punë në sistem, dhe sigurisht që do të duhet një kohë e gjatë që sistemi operativ Fuchsia në një moment ndoshta ta zëvendësojë Android OS, i cili aktualisht është i pranishëm në mbi 85% të telefonave në botë.

Lansimi i sajtit për developerë do ta ndihmojë kompaninë Google që ta promovojë Fuchsia OS, ndërsa developerët do të kenë mundësi të njihen dhe të mësojnë për sistemin e ri operativ.

Artikuj të ngjashëm