Është vërejtur patenta e pazakontë e Apple. Raporti i sajtit LetsGoDigital flet për skica të reja për patenta, së bashku me modelet e pajisjeve, për t’ia dhënë kontekstin patentës. Patenta e paraqet një pajisje të re Apple, e cila duket si një iPhone, por i mungojnë disa nga detajet thelbësore që i ka iPhone 11 Pro aktual.
Sipas skicave, pajisja e ka një ekran drejtkëndësh me skaje katrore, nuk ka Face ID dhe as notch, nuk ka kamerë të përparme, por ka tast për ndezje, tastet për zë dhe një switch për njoftime fizike, si iPhone, shkruan KOHA Ditore. Nën tastin e ndezjes, duket sikur është edhe slloti SIM.
Raporti sugjeron se bëhet fjalë për dizajnin e ri për iPhone për vitin 2020, ndërsa përmendet se pajisja mund të ketë kamerë të përparme të vendosur poshtë ekranit, si dhe sensor të gjurmëve të gishtërinjve në ekran.
Megjithatë, sipas përshkrimit nga patenta, mund të konkludohet se skicat që e shoqërojnë materialin për patentë nuk janë përfaqësues konkret i iPhone të ri të Apple dhe mund t'i referohen një produkti tjetër të Apple, duke marrë parasysh që në përshkrim përmendet fjala "patentë e pjesshme".
Mundësia e parë është se bëhet fjalë për një iPod Touch të azhurnuar, i cili bazohet në dizajnin e iPhone aktual. Megjithatë, meqë Apple e rifreskoi iPod Touch në maj, nuk pritet ndryshim i ri i dizajnit të kësaj pajisjeje.
Mundësia e dytë është se bëhet fjalë për një ekran më të lirë për linjën e lirë të papublikuar të modeleve të iPhone. Më parë tashmë ishin shfaqur thashethemet se Apple po planifikonte ta lansonte një pasardhës të iPhone SE për vitin 2020, por nuk është e sigurt nëse kjo patentë do të lidhet me atë lansim.
Thashethemet aktuale theksojnë se linja iPhone 2020 do të vijë me madje katër modele: dy me ekrane 6.1 inçëshe, një me ekran 5.4 inçësh dhe një iPhone të madh 6.7-inçësh. Të gjithë telefonat pritet të vijnë me mbështetje 5G dhe teknologji të re të stabilizimit të sensorit të kamerës.