Seria e iPhone 13 do të lansohet sivjet, të paktën sipas raportimeve të deritashme. Kompania Apple ka nisur me porositë për përbërësit e telefonit. Megjithatë, një raport i ri i “Bloombergut” ka bërë të ditur se telefoni i ri nuk do të vijë me një veçori të cilën e presin përdoruesit e iPhonet.
Apple pati hequr sensorin Touch ID nga iPhone më 2017 kur u lansua iPhone X. Telefoni në atë kohë mori veçorinë e njohjes së fytyrës nëpërmjet sistemit 3D, në hapësirën e njohur tashmë si “njolla”. Face ID është më e sigurt se Touch ID pati thënë Apple atë kohë. Kompania pati deklaruar se hapja e telefonit me njohje të fytyrës ishte e ardhmja e iPhonet.
Apple ka qenë duke testuar disa mënyra për ta zëvendësuar sensorin e gishtave nën ekran të pajisjeve telefonike. Por deri tash, kompania s’ka vendosur të bëjë hapa të tjerë drejt lansimit të kësaj veçorie.
Shumë raportime kanë thënë se Apple mund të vijë sivjet me veçorinë e re të sensorit të brendshëm, nën ekran. Por raporti i “Bloombergut” thotë se veçoria s’do të vijë as sivjet e s’do të kthehet as sensori për gishta, por iPhone 13 do ta përkrahë sensorin për fytyrë.
Touch ID është veçoria që shumë përdorues të iPhonet vazhdojnë ta ëndërrojnë, sidomos gjatë pandemisë pasi maskat ndaj COVID-19 parandaluan funksionimin e Face ID.