Oppo ka publikuar serinë e vet të parë të telefonave Reno muajin e kaluar me modelet Oppo Reno, Reno 10x zoom dhe Reno 5G, ndërsa si duket kompania kineze së shpejti do ta prezantojë edhe një alternativë më të lirë, raporton GSMArena.
China Telecom e radhiti shkurtimisht telefonin e ri Reno Z në sajtin e vet. Përveç renderëve dhe specifikimeve, ofrohen edhe informacione për çmimin.

Telefoni do të ketë ekran 6.4-inçësh FHD+ me notch në formë pikëze, ku është vendosur kamera 32MP, ndërsa poshtë ekranit është vendosur sensori për gjurmë të gishtave. Në anën e pasme, telefoni do ta ketë një sistem me dy kamera, i cili përbëhet nga sensorët 48MP dhe 5MP.
Telefoni punon falë çipsetit Helio P90, së bashku me 6GB RAM dhe 256GB hapësirë për ruajtje. Gjithashtu, telefoni e ka një bateri prej 3950mAh me mbështetje VOOC 3.0 dhe mbushje të shpejtë 20W, shkruan KOHA Ditore.
Oppo Reno Z do të jetë në dispozicion në variantet Star Purple, Extreme Night Black, Coral Orange dhe Bead White, ndërsa çmimi pritet të jetë rreth 335 euro.