Shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka deklaruar se shpreson që roboti Optimus të përdoret në të ardhmen për të ndjekur njerëzit dhe për të parandaluar krimet, raportoi të enjten “Associated Press”.
Gjatë mbledhjes vjetore të aksionerëve të Teslas, Musku ka thënë se robotët mund të shërbejnë si një lloj “Robocop”-i modern, që do të funksionojë si një formë më “humane” e parandalimit të krimit.
“Nëse u jep njerëzve një Optimus falas, që thjesht do t’i ndjekë dhe do t’i ndalojë të bëjnë krime atëherë nuk do të kemi më nevojë për burgje. Është e cuditshme për t’u menduar, por mendoj se kjo është e ardhmja”, ka thënë Musku.
Sipas tij, roboti mund të përdoret për të monitoruar të dënuarit që janë liruar nga burgu në mënyrë të vazhdueshme si një kamerë sigurie lëvizëse që do t’i dekurajonte nga kryerja e veprave të tjera penale.
Roboti Optimus, i prezantuar për herë të parë në vitin 2022, është konceptuar si një humanoid autonom me inteligjencë artificiale, i aftë të kryejë detyra të ndryshme që zakonisht i përkasin njerëzve. Musk ka thënë se versionet e ardhshme të këtij roboti do ta bëjnë punën fizike “një zgjedhje, jo një domosdoshmëri”, duke e cilësuar projektin më të rëndësishëm se vetura elektrike.