Miu jashtëzakonisht i lehtë për gaming Cooler Master MM710
Cooler Master po përgatitet ta lansojë miun e ri për gaming, i cili karakterizohet nga një dizajn jashtëzakonisht i lehtë. Emri i miut është MM710 dhe peshon më pak se 53 gramë, kryesisht falë shtëpizës së tij unike, raporton PCGamer.
Shtëpiza e tij përmban një numër të madh të prerjeve nga lart dhe anash, duke u shtrirë nga seksionet kryesore në butonat e majtë dhe të djathtë, shkruan KOHA Ditore. Më pak material do të thotë më pak peshë, gjë që edhe ishte qëllimi i Cooler Master. Prerjet përhapen në bazën e miut.
"Shtëpiza e re e shpuar e miut është krijuar që të jetë jashtëzakonisht rezistente dhe e lehtë, që do të thotë se përdoruesit mund ta përdorin atë për më gjatë pa lodhje gjatë gamingut", theksojnë në Cooler Master.
Cooler Master MM710 e ka një sensor prej 16000 dpi, si dhe gjashtë butona (duke përfshirë edhe rrotëzën lëvizëse). Mousei është në dispozicion në Amazon me një çmim prej 50 dollarësh, ndërsa listingu tregon se ai do të dalë në treg nga 24 shtatori.