Konferenca më e madhe e teknologjisë në Evropë, “Web Summit”, do të mbahet në Lisbonë në nëntor, siç ishte planifikuar, kanë bërë të ditur organizatorët.
Ky mund të jetë eventi i parë i madh ndërkombëtar që do të mbahet që nga shpërthimi i pandemisë, që çoi edhe në anulimin e ngjarjeve të mëdha përfshirë Lojërat Olimpike.
“Web Summit”, që kaloi nga Dublini në kryeqytetin portugez më 2016, ka rreth 70 mijë vizitorë për çdo vit, me kompanitë më të mëdha teknologjike që marrin pjesë.
“‘Web Summit’ do të mbahet këtë vit në Lisbonë. ‘Web Summit’ do t’u përmbahet protokolleve më strikte të shëndetësisë siç janë rekomanduar nga qeveria e Portugalisë”, ka thënë themeluesi i konferencës, Paddy Cosgrave në një postim në Twitter.
Në Portugali tubimet e më shumë se 20 personave janë të ndaluara dhe nuk dihet qartë se si do të organizohet ky event. Deri tash në Portugali janë infektuar më shumë se 37 mijë persona e më shumë se 1500 kanë vdekur.