Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar në vizitë pune në Portugali.
Gjatë qëndrimit në Portugali ajo do të takohet me presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa dhe kryeministrin Antonio Costa, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Po ashtu gjatë qëndrimit ajo do të marrë pjesë në Web Summit, ku do të jetë folëse në këtë ngjarje që llogaritet ndër kryesoret në botë për teknologji.
Po ashtu Osmani do të përurojë shtatoren e Nënë Terezës në kryeqendër të Portugalisë, Lisbonë.
“Gjatë qëndrimit në këtë shtet, Presidentja Osmani do të takohet me presidentin e Potugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa dhe me kryeministrin, António Costa. Me ftesë të Web Summit, Presidentja Osmani e shoqëruar nga delegacioni i bizneseve kosovare në fushën e ICT-së, do të jetë folëse në këtë samit, i cili konsiderohet ngjarje kryesore e teknologjisë në botë. Në kuadër të vizitës në Portugali, Presidentja Osmani dhe kryetari i Lisbonës, Carlo Moedas do ta përurojnë shtatoren e Nënë Terezës, e vendosur në qendër të kryeqytetit të Portugalisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.