Sipas një raporti nga “Financial Times”, autoritetet kineze e kanë urdhëruar një ndalim të plotë të harduerit dhe softuerit të huaj në kompjuterët e administratës së këtij vendi. Këtu përfshihen edhe procesorët dhe kartelat grafike nga kompanitë si Nvidia, AMD dhe Intel, si dhe sistemet operative të Microsoft dhe Apple, raporton PCGamer.
Plani është të zëvendësohen 30 për qind e kompjuterëve dhe softuerit deri në fund të vitit 2020, 80 për qind gjatë vitit 2021 dhe 100 për qind në vitin 2022. Ky veprim ekstrem nga autoritetet kineze vjen pesë vjet pasi që Kina u përpoq ta ndalonte Windows 8 në kompjuterët qeveritarë, gjë që rezultoi me dështim, shkruan KOHA Ditore. Gjithashtu, vendimi vjen pasi që më herët gjatë vitit administrata amerikane urdhëroi kompanitë amerikane të mos bashkëpunojnë me kompaninë kineze Huawei, si dhe pas ndalimit të qasjes së Kinës në teknologjitë amerikane.
Hapi i Kinës nuk është befasues, duke e marrë parasysh rritjen e konsiderueshme të tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës gjatë viteve të fundit, ndërsa Kina e ka bërë të qartë se dëshiron pavarësi nga kompanitë amerikane.