Stacioni “do të ndërtohet në sipërfaqen e hënës dhe/apo në orbitën e hënës ku do të mbahen aktivitetet e studimeve shkencore, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i hënës, vrojtimi nga hëna, eksperimente bazike shkencore dhe verifikim teknik”
Washington, 10 mars (AP) – Kina dhe Rusia kanë konfirmuar të mërkurën se do të ndërtojnë një stacion hapësinor studimi, sipas të gjitha gjasave në sipërfaqen e hënës, duke e shënuar kësisoj fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit hapësinor mes dy vendeve.
Në një komunikatë të publikuar në ueb faqen e Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës, thuhet se Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor për Studime do të jetë i hapur për përdorim edhe nga vendet e tjera, por nuk është dhënë ndonjë datë për ndërtimin e tij.
Ky projekt përshkruhet si “bazë gjithëpërfshirëse për eksperimente shkencore me aftësi për operime autonome afatgjata”.
“Stacioni do të ndërtohet në sipërfaqen e hënës dhe/apo në orbitën e hënës ku do të mbahen aktivitetet e studimeve shkencore, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i hënës, vrojtimi nga hëna, eksperimente bazike shkencore dhe verifikim teknik”, thuhet në komunikatë.
Aty mes të tjerash bëhet e ditur gjithashtu se është nënshkruar një memorandum i mirëkuptimit nga udhëheqësi i Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës, Zhang Kejian, dhe shefi i agjencisë hapësinore ruse, Dmitry Rogozin.
Edhe
Kina po planifikon të shkojë në Hënë, Mars “e përtej”
Kina është varur shumë nga ekspertiza ruse në vitet e para të programit të saj hapësinor, por e ka shtruar rrugën e saj që nga lansimi i misionit të saj të parë më 2003. Pavarësisht kësaj, anijet kozmike të Kinës “Shenzhou” u ngjasojnë anijeve kozmike ruse “Soyuz” dhe agjencia hapësinore kineze ka bashkëpunuar me disa vende botërore, gjersa Kongresi amerikan i ka ndaluar të gjitha kontaktet mes NASA-s dhe Kinës, për shkak të shqetësimeve rreth vjedhjes së teknologjisë dhe natyrës sekrete dhe të mbështetur në ushtri të programit hapësinor të Kinës.
“Rusia dhe Kina do ta mbështesin rregullin e ‘konsultimit të përbashkët, ndërtimit të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta’, që do ta lehtësojnë bashkëpunimin e gjerë në Shërbimin Ndërkombëtar Hapësinor, do të jenë të hapura ndaj vendeve të interesuara dhe partnerëve ndërkombëtarë, do t’i fuqizojnë shkëmbimet e studimeve shkencore dhe do ta promovojnë eksplorimin e njerëzve dhe përdorimin e gjithësisë për qëllime paqësore”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kina.
Rusia është anëtare e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, por programi i saj hapësinor disi është eklipsuar nga ai i Kinës, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Indisë dhe shteteve të tjera.
Në zhvillimet më të fundit, Rusia e ka lansuar me sukses anijen kozmike “Angara A5” për të dytën herë në dhjetor, pas disa vonesave të gjata dhe problemeve teknike.
Edhe
Rusia planifikon ta ndërtojë një central bërthamor në Hënë brenda dekadës së ardhshme
Kina ka planifikuar për këtë vit katër misione punuese në stacionin e përhershëm hapësinor orbitar, moduli kryesor i të cilit do të mund të lansohet muajin e ardhshëm.
Kina tashmë ka lansuar dy stacione hapësinore eksperimentale më të vogla, ka vendosur një objekt në një anë të largët të hënës më 2019, e cila është eksploruar pak, dhe ka një anije kozmike “Tianwen-1” të vendosur në një orbitë përreth planetit të Marsit, në pritje të vendosjes së një objekti të ri në sipërfaqe të tij gjatë muajve të ardhshëm. Nëse shënon sukses, Kina do të bëhej vendi i dytë, pas SHBA-së, që do ta dërgojë një anije kozmike në Mars.