Tech

IBM lanson “COVID notebooks” me të dhëna të hapura për analiza

IBM ka lansuar të enjten “COVID notebooks”, të dhëna me burim të hapur, për t’i ndihmuar shkencëtarëve, zhvilluesve dhe ligjvënësve që të bëjnë analiza dhe parashikime rreth pandemisë së koronavirusit, shkruan TheNextWeb.

Kur krerët e institucioneve qoftë shëndetësorë apo shtetërorë bashkohen për të bërë zgjidhje rreth pandemisë, ata kanë nevojë për të dhëna të përditësuara, të organizuara dhe të qarta. Por përmbledhja e këtyre të dhënave është punë në vetë dhe detyrë mjaft e vështirë, transmeton KOHA.

Sipas IBM-së : “Volumi i informatave është tepër i madh. Të dhënat e vazhdueshme nga studimet, burimet e lajmeve, mediat sociale dhe organizatat shëndetësore e bëjnë analizën e të dhënave të përgjithshme tepër të vështirë. Zhvilluesit dhe shkencëtarët e të dhënave duhet t’i kenë informatat rreth burimeve të të dhënave, mënyrave që janë përdorur për t’u mbledhur këto të dhëna, dhe të nxjerrin përfundime të qëndrueshme nga këto informacione të cilat po ndryshojnë në mënyrë konstante”.

Burimi i ri i IBM-së për COVID është një fletore e shkrimeve me burim të hapur Jupyter, e cila përmban të dhëna që kanë të bëjnë me pandeminë, nga autoritete të ndryshme si Universiteti John Hopkins, The New York Times dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve.

Pasi që të dhënat rreth pandemisë po ndryshojnë në baza ditore, COVID Notebook përdorë programet Elyra Notebook Pipelines Visual Editor dhe KubeFlow Pipelines për t’u siguruar së hulumtuesit kanë të dhëna të qarta dhe të përditësuara.

Kjo i ndihmon zhvilluesve dhe shkencëtarëve që të përqendrohen në detyrën e analizës së thellë dhe modelimit të parashikimeve, duke pasur qasje të shpejtë dhe të lehtë mbi detaje të imta të të dhënave që kanë të bëjnë me pandeminë nga burime të ndryshme.