Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Google sugjeron “diçka të madhe” për linjën Pixel

Si duket nuk do të duhet ta presim vjeshtën që të mësojmë për risitë për pajisjet Pixel. Google e ka publikuar teaserin në të cilin premton se "diçka e madhe po vjen në ekosistemin Pixel" më 7 maj. Klipi përcjellës ishte vetëm promovim i stikerit AR me temën Avengers: Endgame, por është e sigurt se kompania po përgatit diçka më të madhe. Ka gjasa të mëdha që do t’i shohim telefonat e rinj Pixel 3a, raporton Engadget.

Google kohët e fundit sugjeroi përmes dyqanit të vet online për ekzistimin e Pixel 3a dhe 3a XL ndërsa 7 maji përkon me ditën e parë të konferencës së sivjetme vjetore të kompanisë për developerë, I/O.

Nëse muajin e ardhshëm vërtetë shfaqen telefonat Pixel 3a, kryesisht e dimë se çfarë mund të presim nga pajisjet. Shumica e thashethemeve kanë theksuar se Pixel 3a të ketë ekran 5.6-inçësh, çipset Snapdragon 670, 4GB RAM dhe kamerë 12MP me funksione Pixel Visual Core të cilat i ka edhe premiumi Pixel 3. Nga ana tjetër, Pixel 3a XL do të duhej të ketë ekran 6-inçësh dhe ndoshta edhe çipsetin Snapdragon 710, shkruan KOHA Ditore.

Google planifikon ta bëjë linjën Pixel edhe më të përballueshme, pas disa vitesh të rritjes së çmimeve për pajisjet e veta.