Gjatë konferencës I/O, Google edhe zyrtarisht i ka prezantuar telefonat më të rinj në linjën Pixel, të cilët janë të dedikuar për segmentin më të ulët të tregut. Google Pixel 3a dhe 3a XL mund të konsiderohen si pasardhës të serisë së volitshme Nexus, e cila ekzistonte para pajisjeve Pixel. Pritet që çmimi më i volitshëm dhe kamerat e njëjta si linja Pixel 3 do t’u ndihmojnë modeleve Pixel 3a dhe Pixel 3a XL që të arrijnë tek më shumë përdorues, raporton PhoneArena.
Pixel 3a është një model më i vogël, i cili karakterizohet nga një ekran 5.6 inçësh OLED pa notch, me rezolucion FHD+ (2220 x 1080p) dhe mbrojtje Dragon Trail. Ai ka çipset Snapdragon 670, me GPU Adreno 615. Telefoni e ka të njëjtën sasi të memories si modeli më i shtrenjtë Pixel 3: 4GB RAM dhe 64GB hapësirë për ruajtje. Telefoni nuk ofron opsione zgjerimi të kartelës microSD.

Sistemi i kamerave përbëhet nga sensori kryesor 12.2MP Sony IMX363 (f/1.8, 1,4μm pikselë, OIS). Ashtu si kamera kryesore, edhe kamera e përparme është identike si tek Pixel 3, dhe e ka një sensor prej 8MP me një aperturë f/2.0. Gjithashtu të pranishme janë të gjitha funksionet kryesore të kamerës nga modeli më i fortë Pixel, si Night Sight, Top Shot, Super Res Zoom dhe HDR+. Bateria e ka një kapacitet prej 3000mAh, me mbështetje për mbushje të shpejtë prej 18W përmes standardit USB Power Delivery.

Modeli më i madh që ofrohet është Pixel 3a XL, i cili e implementon të njëjtin harduer si ai standard 3a, vetëm se në një trup më të madh. Ekrani prej 6.0 inçësh është OLED me rezolucion FHD+ (2160 x 1080p). Telefoni ka korniza paksa më të trasha, ndërsa bateria e ka një kapacitet prej 3700mAh.
Për ta mbajtur çmimin e ulët, Google ka përdorur plastikë për trupin e telefonit, ndërsa pjesa e përparme përsëri e përdor mbrojtjen Dragon Trail. Është interesante të theksohet se ofrohet një port 3.5mm, si dhe një altoparlant stereo. Funksioni Active Edge është gjithashtu i pranishëm. Telefoni vjen në tre ngjyra – Just Black, Clearly White dhe Purple-ish, shkruan KOHA Ditore.
Pixel 3a e ka një çmim prej 399 dollarësh, ndërsa Pixel 3a XL kushton 479 dollarë. Të dy telefonat tashmë janë në dispozicion në vendet ku Google i shet pajisjet e veta.