Tech

Google heq RT-në nga motori i kërkimeve

Kompania Google ka njoftuar se ka hequr median shtetërore ruse, Russia Today (RT) nga motori i saj i kërkimeve të lajmeve.

“Në këtë krizë të jashtëzakonshme ne po ndërmarrim masa të jashtëzakonshme për të ndaluar përhapjen e dezinformatave dhe për të penguar fushatat online të dezinformimit”, tha presidenti i Googlet, Kent Walker.

Kjo kompani ka kufizuar mediat që financohen nga shteti rus nga reklamimi dhe nga përdorimi i disa veçorive në YouTube, platformës së videove që është në pronësi të Google.

Kryeredaktorja e Russia Today, Anna Belkina, tha se ky vendim është dëshmi se kompanitë perëndimore janë “të tmerruara nga prania e ndonjë zëri të jashtëm dhe nga frika e humbjes së audiencës së tyre, që historikisht ka qenë e robëruar, nëse ajo audiencë ndeshet me një këndvështrim ndryshe”.

Russia Today dhe Sputnik që është një tjetër media që financohet nga Rusia, nga Departamenti amerikan i Shtetit konsiderohen të jenë dy “elemente kritike në deziformatat e Rusisë dhe në ekosistemin e propagandës”.

Po ashtu, kompania e teknologjisë, Apple tha se aplikacionet e Russia Today dhe Sputnik nuk do të mund të shkarkohen jashtë territorit të Rusisë. /REL