Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Google do t’i pyesë përdoruesit në Evropë se cilin browser dëshirojnë ta përdorin në Android

Disa vjet më parë, nën presionin e Bashkimit Evropian, Microsofti u detyrua ta përfshijë opsionin e zgjedhjes së internet browserit në Windows 7 dhe Windows 8, duke ua mundësuar përdoruesve qasjen në zgjidhjet alternative në raport me atë që vinte i parainstaluar (Internet Explorer). Tani, e njëjta gjë po ndodh me kompaninë Google por në këtë rast, për sistemin operativ mobil të kompanisë - Android, përcjell Neowin.

Google ka njoftuar se përdoruesve në Evropë do t’ua mundësojë të dinë se cilët browserë janë për ta në dispozicion për t'u instaluar në Android, duke u mundësuar që ta instalojnë atë që e preferojnë. E njëjta gjë vlen edhe për motorët e kërkimit, pasi që Google tradicionalisht e dominon këtë treg, shkruan KOHA Ditore.

Komisioni Evropian e akuzon Google për shkelje të shumta të rregullave anti-monopol dhe abuzim me pozitën dominuese në fushën e motorëve të kërkimit, gjë që ka rezultuar kohët e fundit me një gjobë të madhe prej 4.34 miliardë euro. Pas kësaj, Google e ka ndryshuar politikën e vet të licencimit të aplikacioneve Android për t’i shmangur problemet shtesë, pavarësisht faktit se kompania e ka mohuar çfarëdo paligjshmërie në praktikën e vet.

Është e paqartë se kur do të fillojnë përdoruesit ta shohin opsionin e zgjedhjes së browserit të preferuar, por Google thekson se kjo do të ketë ndikim në përdoruesit e rinj dhe ekzistues të Androidit.