Firefoxi po e përgatit një vegël e cila e parandalon përcjelljen e aktiviteteve të përdoruesit në internet dhe e mbron atë nga mihja e kriptovalutave në kurriz të burimeve të shfrytëzuesve, si dhe nga "fingerprinting", raporton Engadget.
Mozilla po bashkohet përsëri me Disconnect, kompaninë softuerike e cila ofron vegla të cilat mbrojnë nga monitorimi dhe bllok listën e të cilës për ad trackerë Firefoxi tashmë e përdor në mbrojtjen e vet. Të dyja këto metoda të mbrojtjes janë në dispozicion për testerët e Firefox Nightly 68 dhe Beta 67. Mozilla po planifikon t'i mundësojë ato si të parazgjedhura në publikimet e ardhshme.
Për ata që nuk janë në rrjedha, skriptat për mihje të kriptovalutave, të cilat disa sajte mund t’i implementojnë, i shtyjnë përdoruesit e CPU-ve që të mihin fshehurazi kriptovalutat (një proces ky që e ngadalëson CPU-në dhe konsumon energji). Azhurnimi i fundit i Firefoxit i bllokon këto skripta, të cilat mund të gjenden në listën e Disconnect, shkruan KOHA Ditore.
Tani për tani, testerët mund të aktivizojnë metodat anti-monitoruese nga "preferences" në menunë kryesore të Firefoxit. Gjithashtu do të përfshihen si parazgjedhje në versionin Firefox Nightly në javët e ardhshme.