Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Firefox planifikon ta kalojë Chrome

Firefox ka ndërmend t’ia kalojë browserit Chrome. Bëhet fjalë për rritjen e shpejtësisë, por versioni i ri i shfletuesit të njohur i sjell edhe disa funksione sigurie të cilat do t’i mahnitin edhe mbrojtësit e privatësisë online.
Nëse jeni përdorues i browserit Mozilla, me siguri jeni të njohur me shpejtësinë e tij, gjë që rrallë herë e arrin atë të Chrome.
Për fat të mirë, Mozilla ka njoftuar kohët e fundit një rritje masive të shpejtësisë, e cila vjen me versionin më të fundit të ”dhelprës së zjarrtë”.
Më konkretisht, Amazon, Google dhe Instagram do të duhej të hapen 40 deri 80% më shpejt, ndërsa moduli për mbushje automatike nuk do të lexohet nëse në faqe nuk ka formular.
Përveç ndryshimeve të përmendura, Mozilla gjithashtu do t’i fikë kartat joaktive nëse kompjuteri i ka më pak se 400 MB memorie të disponueshme. Ka edhe thashetheme për hapje më të shpejtë për të gjithë ata përdorues të cilët në kompjuter kanë të instaluar shumë të dhëna, që do të thotë se shfletuesi anashkalon shumë punë të panevojshme pas ekzekutimit fillestar, shkruan KOHA Ditore.
Edhe pse risitë e përmendura vërtet i përmirësojnë gjasat e Firefoxit që të garojë me Chrome, luftërat e browserëve të internetit nuk ndalen me kaq. Mozilla planifikon edhe diçka. Bëhet fjalë për kontrollet e përmirësuara për privatësi dhe mbrojtje gjatë surfimit. Për shembull, nëse dëshirojmë, browseri do t’i bllokojë vetë skriptat për mihjen e kriptovalutave nëse dikush vendos që ta përdorë kompjuterin (pa lejen tonë) për të përfituar. Të gjitha këto shtesa dhe përmirësime do të jenë në dispozicion në versionin e ri Firefox 67.