Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Facebook thotë t’i ketë ndihmuar disa afganë të largohen nga Afganistani

Facebook ka thënë se ka marrë pjesë në një përpjekje për të ndihmuar 175 qytetarë të largohen nga Afganistani pasi talebanët morën kontrollin e vendit.

Kompania tha se disa anëtarë të stafit ishin gjithashtu në fluturim për Mexico City.

Qeveria meksikane konfirmoi se fluturimi mbante aktivistë dhe gazetarë të pavarur së bashku me familjet e tyre, përfshirë 75 fëmijë.

Kompanitë dhe organizatat shumëkombëshe kanë vazhduar të tërhiqen nga Afganistani.

“Në procesin e ndihmës për punonjësit e Facebookut dhe partnerët e ngushtë të largohen nga Afganistani, ne u bashkuam në një përpjekje për të ndihmuar një grup gazetarësh dhe familjet e tyre që ishin në rrezik të madh”, tha një zëdhënës i Facebook për BBC.

“Falë udhëheqjes së qeverisë meksikane dhe mbështetjes së Emirateve të Bashkuara Arabe në sigurimin e uljes fillestare, gazetarët janë mirëpritur në Meksikë”, shtoi kompania.

Firma nuk pranoi të japë ndonjë hollësi të mëtejshme për shkak të situatës së vazhdueshme të sigurisë në Afganistan.

Qeveria meksikane tha se grupi i qytetarëve afganë mbërriti të mërkurën: "Ky grup, i katërti që erdhi në Meksikë për arsye humanitare për shkak të situatës në Afganistan, përbëhet nga punonjës të mediave sociale, aktivistë dhe gazetarë të pavarur dhe familje, përfshirë 75 fëmijë ".

Artikuj të ngjashëm