Informatat më të reja thonë që Facebook gjatë tremujorit të parë të 2019 ka larguar 2,19 miliardë llogari të rreme, që paraqet rritje të madhe në krahasim me tremujorin paraprak kur ishin larguar 1,2 miliardë llogari të rreme. Raporti i kompanisë sugjeron që ky është rezultati i sulmeve të automatizuara të ndërhyrjeve që tentojnë të krijojnë sasi të mëdha të llogarive përnjëherë, përcjell Mashable.
Facebook më 21 mars bëri të ditur që në platformën e vet ka 2,38 miliardë shfrytëzues aktivë në baza mujore. Alex Schultz, nënkryetar për analitikë në Facebook, thekson që nuk do të duhej t’i jepej rëndësi tepër e madhe sasisë se këtyre llogarive të rreme.

“Numri i llogarive të rreme që janë ekzekutuar është shumë i shtrembëruar përmes sulmeve të thjeshta, që nuk paraqesin rrezik real apo rrezik të vërtetë të dëmit. Nëse ndonjë ndërhyrës i ngathët provon të krijojë një sulm dhe të krijojë qindra llogari të rreme – dhe ne i largojmë posa të paraqiten – këto janë qindra llogari të rreme. Por askush nuk është ekspozuar ndaj këtyre llogarive dhe kështu ne nuk kemi parandaluar kurrfarë dëmi që as që ishte kryer ndaj shfrytëzuesve tanë”, ka theksuar Schultz, shkruan KOHA Ditore.
Në vend të kësaj, sipas tij, mbikëqyrja apo monitorimi – shpeshtësia e vrojtimit të përmbajtjeve që rrezikojnë Facebookun, është mënyrë më e mirë e përcjelljes së metrikës. Parashikimi i Facebookut është që pesë për qind e llogarive aktive mujore (rreth 119 milionë) janë të rreme. Në anën tjetër, kompania e ka pranuar edhe që një numër i madh i llogarive të rreme arrijnë të përvidhen nëpër filtrat e Facebookut.