Rregullorja e re e GDPR, rregullorja e përgjithshme për mbrojtje të të dhënave në Evropë, i cili ka hyrë në fuqi që nga dita e djeshme, është duke u shkelur tashmë nga shumë gjigantë amerikanë të teknologjisë.
Organizata noyb.eu tashmë ka paraqitur ankesë kundër Google, Facebook, WhatsApp e Instagram, ku i akuzon ata për shtytje ‘të detyrueshme’ në rregullat e tyre, të cilat realisht janë ‘merre ose lere’, ku përdoruesve u ndalohet përdorimi i të gjitha shërbimeve të tyre nëse ata nuk pajtohen me kushtet e paracaktuara të kompanisë, transmeton koha.net.
Ata në ankesë kanë shkruar: “Facebook ka bllokuar llogari të përdoruesve të cilët nuk kanë dhënë pëlqimin. Përdoruesve u duhet të zgjedhin të fshijnë llogarinë e tyre apo të shtypin butonin ‘pranoj’, kjo nuk është një zgjedhje e lirë, më shumë tingëllon si proces zgjedhor i Koresë së Veriut”.
Baza e kësaj ankese është një artikull nën ligjin e ri të GDPR, që thotë se kompanitë nuk mund të pakojnë tiparet e shërbimeve të tyre për të marrë pëlqimin.
Nga kjo ankesë është ende shumë herët të dihet se kush fiton, por nëse këto kompani shpallen fajtore, dënimi për të to mund të arrijë deri në 7 miliardë dollarë.