Gjatë disa vjetëve të fundit Corsair e ka zgjeruar ofertën e vet të harduerit kompjuterik. Kompania filloi si prodhuese e memorieve, ndërkohë që biznesin e zgjeroi edhe në shtëpiza, ftohës, tastiera, minj dhe madje edhe sisteme të kompletuara PC, përcjell Overclock3D.
Tani planet e Corsair për të hyrë në tregun e monitorëve duken më afër realizimit se kurrë më parë. Kompania u kërkoi përdoruesve feedback për atë se si i përdorin PC monitorët e tyre.
Gjatë vitit të kaluar, Corsair e ka postuar një konkurs pune në kërkim të një menaxheri prodhimi për monitorët, shkruan KOHA Ditore. Pozicioni kërkonte personat që mund ta definojnë roadmapin për ekranet e kompanisë për gaming, të zhvillojnë produkte konkurruese dhe karakteristika të tjera.
Kur bëhet fjalë për anketën aktuale, kompania i pyeti fansat se cilin lloj të panelit e preferojnë (TN, IPS, VA, OLED etj), madhësinë dhe numrin e ekraneve që përdorin, nëse e përdorin mbajtësen VESA dhe funksionet e tjera të avancuara.
Në këtë moment nuk dihet nëse dhe sa kanë përparuar planet e Corsair në këtë fushë, por duket se do të kalojë ca kohë para se të paraqiten monitorët e kompanisë për gejming.