OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT-së, po eksploron prodhimin e çipave të inteligjencës artificiale dhe ka arritur deri në vlerësimin e një objektivi të mundshëm blerjeje, raportoi të hënën Reuters.
Megjithatë ende nuk është marrë një vendim për diçka konkrete.
Drejtori ekzekutiv, Sam Altman, e ka bërë blerjen e më shumë çipave të AI prioritet kryesor për kompaninë. Ai është ankuar publikisht për mungesën e njësive të përpunimit grafik, treg i dominuar nga Nvidia, i cili kontrollon më shumë se 80% të tregut global për çipat më të përshtatshëm për të ekzekutuar aplikacionet e AI-së.
Përpjekja për të marrë më shumë çipa është e lidhur me dy shqetësime kryesore që Altmani ka identifikuar: mungesën e procesorëve të avancuar që fuqizojnë softuerin e OpenAI-së dhe kostot që lidhen me funksionimin e pajisjeve të nevojshme për të fuqizuar produktet e tij.
Një përpjekje për të zhvilluar çipat e vet të inteligjencës artificiale do ta vendoste OpenAI-n mes një grupi lojtarësh të mëdhenj të teknologjisë si Google dhe Amazon, që kanë kërkuar të marrin kontrollin mbi dizajnimin e çipave që janë thelbësorë për bizneset e tyre.
Edhe
Apple padit krijuesin e ChatGPT, e akuzon për vjedhje të sekreteve tregtare
Nuk dihet nëse OpenAI do të ecë përpara me një plan për të ndërtuar një çip të personalizuar.
Kërkesa për çipa të specializuar AI është rritur që nga fillimi i ChatGPT-së vitin e kaluar. Çipat specifikë, ose përshpejtuesit e AI-së, janë të nevojshëm për të trajnuar dhe drejtuar teknologjinë më të fundit gjeneruese të inteligjencës artificiale.