Benjamin Kolenoviq, 28-vjeçari nga Kosova, është përfshirë në listën “Forbes 30 Under 30”, në Kategorinë Media dhe Marketing. Ai është themelues dhe shef ekzekutiv i agjencisë së marketingut digjital “Growzillas”, me seli në Prishtinë.
Kolenoviq është shprehur mirënjohjes dhe i motivuar nga kjo përzgjedhje.
“Jam i lumtur të njoftoj se jam paraqitur në listën e ‘Forbes 30 Under 30’, veçanërisht për Seksionin Media & Marketing. Është një nder të marr këtë mirënjohje, veçanërisht pasi puna dhe ndikimi ynë u njohën nga ‘Deloitte’ disa muaj më parë. Kjo arritje më motivon të vazhdoj të ec përpara dhe të nxis rritjen në marketingun digjital. Faleminderit të gjithëve që më kanë mbështetur gjatë rrugës, veçanërisht ekipit të ‘Growzillas!’”, ka shkruar Kolenoviq në profilin e tij në Facebook.
Si dëshmi të punës, frymëzimit dhe njohurisë inovative të Kolenoviqit e kanë konsideruar lajmin vetë përfaqësuesit e kësaj kompanie.
“Ky është një nder i jashtëzakonshëm dhe një dëshmi e përkushtimit frymëzues të Benit ndaj inovacionit, njohurisë, dhe më e rëndësishmja – ndaj rritjes. Emërimi në listën e ‘Forbes 30 Under 30’ është një privilegj që nderon sipërmarrësit dhe liderët e rinj që po bëjnë ndryshim në fushat e tyre. Përfshirja e Benit në këtë listë nxjerr në pah ndikimin që ai dhe ‘Growzillas’ kanë pasur në botën e marketingut digjital. Kjo gjithashtu përforcon angazhimin tonë ndaj inovacionit, qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë shoqërore, përderisa ne vazhdojmë të shtyjmë kufijtë e të mundurës. Jemi të nderuar që kemi Benin si CEO dhe mirënjohës për përkushtimin, pasionin, vizionin dhe udhëheqjen që ai sjell në ekipin tonë’, shkruhet në faqen zyrtare të “Growzillas” në Facebook.
Ndërkaq, në ueb-faqen e “Forbes”, aty ku janë publikuar edhe njëzet e nëntë të përzgjedhurit e tjerë, mund të lexohet edhe një biografi e shkurtër e Kolenoviqit dhe punës së tij si themelues i “Growzillas”
“Ben Kolenoviq është themeluesi dhe CEO i ‘Growzillas’, një agjenci digjitale e suksesshme dhe inovative në Kosovë. Që nga themelimi i saj në vitin 2020, ‘Growzillas’ ka pasur një rritje mesatare vjetore prej 200 për qind duke u bërë agjencia digjitale me shpenzimet më të mëdha në Kosovë, me 25 punonjës, 85 për qind e të cilëve janë gra. Ai gjithashtu organizon ‘Growth Tank’, konferencë për marketing digjital dhe ka mbajtur seanca trajnimi për organizata të ndryshme”, është shkruar nga “Forbes”.
Kjo nuk është hera e parë që një shqiptar paraqitet në listat e “Forbes”. Dua Lipa, Rita Ora, Blerta Thaçi, Dafina O. Olluri dhe Blina Meta-Shala nga “Open data Kosova” kanë qenë gjithashtu pjesë e listës.
Revista prestigjioze “Forbes” nisi me lansimin e listës “30 Under 30” në vitin 2011 nën drejtimin e Randall Lanes. “Forbes 30 Under 30” në kategori të ndryshme publikohet çdo vit dhe versioni amerikan zgjedh nga 30 përfaqësues për njëzet industri. Azia dhe Evropa kanë nga dhjetë kategori, ndërsa Afrika ka një listë të vetme prej 30 personash. Procesi i nominimit për “Forbes 30 Under 30” është i hapur për publikun dhe njerëzit mund ta nominojnë veten ose një tjetër për sa kohë që i nominuari është nën 30 vjeç.