Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

APU-të Renoir të AMD mund ta përkrahin memorien LPDDR4X-4266

Disa patche për Linux vijnë me njoftimet se seria e ardhshme e APU-ve të AMD-së, me emrin e koduar Renoir, mund të arrijë me mbështetje për memorien LPDDR4X. Patchi i parë e liston mbështetjen për llojin e memories LPDDR4X, ndërsa patchi i dytë e përmend në mënyrë specifike frekuencën 4266MHz, raporton TechSpot.

Patchet tregojnë se Renoir mund të arrijë me një kontrollues të përmirësuar të memories, gjë që do të ishte një azhurnim i rëndësishëm në raport me specifikimin DDR4-2400, të cilin e mbështesin Raven Ridge dhe Picasso.

Outleti gjerman ComputerBase dhe informuesi Komachi_Ensaka janë ndër të parët që i vërejtën linjat e kodit të cilat sugjerojnë për azhurnimin e memories për APU-të AMD.

APU-ja AMD Renoir në treg do të garojë kundër çipave mobilë Intel Ice Lake, të cilat e mbështesin DDR4-3200 dhe LPDDR4-3733, shkruan KOHA Ditore. AMD ka pranuar që duhet ta përmirësojë përkrahjen për memorie më të fortë, veçanërisht nëse dihet që APU-të e kompanisë përfitojnë ndjeshëm nga memoria më e shpejtë.

APU-ja Renoir do të jetë pasues i linjës Picasso, e cila pritet gjatë vitit 2020.