Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Apple tërheq nga shitja disa laptopë MacBook Pro për shkak të problemeve me baterinë

Apple ka vendosur t’i tërheqë nga tregu disa versione të laptopit MacBook Pro, për t’i zëvendësuar bateritë të cilat mund të përbëjnë rrezik për sigurinë e shfrytëzuesve, raporton FOXBusiness.

Vendimi për tërheqjen ka të bëjë me modelet më të vjetra 15-inçëshe MacBook Pro, shumica e të cilave ishin shitur në mes të shtatorit 2015 dhe shkurtit 2017. Përdoruesve u rekomandohet që në faqen info ta shkruajnë numrin serik të laptopit MacBook Pro për të përcaktuar nëse pajisja ka nevojë për servisim, shkruan KOHA Ditore.

Kompania vuri në dukje se mund të ketë mbinxehje të baterive me defekte në laptop, gjë që mund të shkaktojë që pajisja të kaplohet nga zjarri. Tani për tani nuk dihet se sa pajisje janë të prekura nga ky problem. Apple rekomandon që përdoruesit ta ndalojnë përdorimin e laptopëve dhe t'i dërgojnë ata në serviset e autorizuara për zëvendësimin falas të baterisë.

Problemet me bateritë MacBook Pro arrijnë vetëm pak javë pasi Apple e zgjati shërbimin e servisimit për të gjitha modelet MacBook që kishin probleme me tastiera me defekte.