Gjiganti amerikan i teknologjisë, Apple, ka lansuar sot në qarkullim kartelën e kreditit “Apple Card”, e cila do të jetë në dispozicion të përdoruesve të iPhonëve.
Apple paralajmëroi lansimin e kësaj kartele në mars të këtij viti, të cilën e ka bërë në partneritet me bankën amerikane të investimeve “Goldman Sachs”.
Një numër i kufizuar i përdoruesve të iPhonëve që kanë shprehur më parë interes për “Apple Card”, do të pranojnë një e-mail nga Apple sot duke i ftuar ata të aplikojnë për një kartelë të tillë përmes aplikacionit “Wallet”.
“Procesi i miratimit të kartelës virtuale do të zgjasë disa minuta, dhe nëse aplikuesi merr ‘dritën e gjelbër’, ‘Apple Card’ mund të përdoret menjëherë”, tha sot një zëdhënës i Applet.
Apple, po ashtu, premton një regjistrim të shpejtë për të marrë kartelën e kreditit “Apple Card” dhe për të eliminuar shumicën e tarifave, duke deklaruar gjithashtu se klientët që bëjnë blerje përmes aplikacionit “Apple Pay” marrin një kthim të parave prej dy për qind të vlerës së transaksionit./ksp