Apple dhe Intel kanë ngritur padi kundër Fortress Investment Group, duke pretenduar se fondi i investimeve po grumbullon patenta dhe më pas po i përdor ato për t’i kërkuar deri në 5.1 miliardë dollarë në padi kundër kompanive teknologjike, raporton CultofMAC.
Apple dhe Intel po e akuzojnë fondin për grumbullimin e patentave, edhe pse në fakt nuk merret me prodhim të asnjë produkti. Këto kompani pohojnë se kjo është në kundërshtim me ligjet amerikane antimonopol.
"Apple ka pësuar dëme të mëdha ekonomike në formën e kostove gjyqësore dhe rialokimin e resurseve nga hulumtimet dhe zhvillimet për t'iu përgjigjur padive të tilla", shkroi Apple në ankesën e vet.
Apple dhe Intel e kanë ngritur padinë të mërkurën e kaluar. Apple pohon se kompanitë e lidhura me fondin Fortress i kanë ngritur kundër tyre deri në 25 padi duke i kërkuar midis 2,6 miliardë dhe 5.1 miliardë dollarë në dëme, shkruan KOHA Ditore. Këto kompani janë Uniloc USA dhe Uniloc Luxembourg, të cilat kanë pohuar se kishin të drejtë për një kompensim prej 2,75 dollarë për secilin produkt të shitur të Apple. Kjo do të rezultonte në një shifër totale prej 732 milionë dollarësh. Megjithatë, nga Apple pretendojnë se matematika e tyre është e gabuar.
"Saktësia e pretenduar e shumës së kërkuar është vetëm një truk; Uniloc USA dhe Uniloc Luxembourg thjesht e kërkonin shumën që Apple e kërkoi nga Samsungu në padinë e vet për patentat e Apple”, thonë nga Apple.
Edhe
Përdori libra jashtëligjshëm për trajnim të AI, Apple paditet nga autorët
Apple është një objektiv i shpeshtë i kompanive që duan t’i monetizojnë patentat e tyre, fillimisht për shkak të madhësisë së kompanisë e cila e bën fitoren potenciale në gjykatë shumë fitimprurëse.
Pronari i Fortress Investment Group është SoftBank japonez që e bleu kompaninë në vitin 2017. Apple është një nga investitorët e fondit 100 milionë dollarësh të SoftBank, i cili është i destinuar për startup kompanitë perspektive. Fondi kohët e fundit raportoi humbje prej 8,9 miliardë dollarësh.