Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

AMD-ja thekson që çipat i ka imunë ndaj lëshimeve të reja të sigurisë

Pas problemeve të mëdha që i kanë shkaktuar lëshimet e sigurisë Specter dhe Meltdown, hulumtuesit e zbuluan një lëshim të ri i cili ndikon tek procesorët: Zombieload, Ridley & Fallout, si dhe Store-to-Leak Forwarding, i njohur si MDS. Lëshimet janë mjaft të rrezikshme sa që pronarët e kompjuterëve Intel duhet t'i arnojnë menjëherë, por me koston e rënies së performancës, raporton Engadget.

Megjithatë, pronarët e CPU-ve AMD janë me fat. Kompania njoftoi në faqen e saj se çipat janë të imunizuar ndaj problemeve për shkak të mbrojtjes së integruar harduerike, e cila është verifikuar.

Testet në çipat Intel kanë treguar se arnimet e lëshimeve të reja të sigurisë ndikojnë dukshëm në performancë. Pajisjet Intel punuan 16% më ngadal në mesatare me azhurnimet e reja të instaluara dhe hyper-threadingun e pamundësuar, ndërsa çipat AMD e kishin një rënie të performancës prej vetëm tre për qind.

Për t'i bërë gjërat edhe më keq për Intelin, Apple dhe Google i kanë këshilluar përdoruesit e Intelit që ta çaktivizojnë tërësisht hyper-threadingun nëse dëshirojnë të jenë të sigurt. Kjo mund të ndikojë në uljen e performancës prej 40 deri 50 për qind, varësisht nga aplikacioni, shkruan KOHA Ditore.

Gjithashtu, ky është një tajming i keq për Intelin, sepse AMD është afër publikimit të çipave të veta 7nm si për desktop ashtu edhe për aplikacionet serverike. Inteli ende e përdor një arkitekturë të vjetër (14nm), edhe pse kompania e paralajmëroi fillimin e punës në procesorët 10nm.