Tech

Alarmohen përdoruesit e iPhoneit, disa Qeveri kanë blerë një program të spiunimit

Mjete të një kompanie izraelite, që kanë shërbyer për hakim, janë përdorur kundër gazetarëve, figurave opozitare e organizatave të ndryshme në të paktën 10 vende – përfshirë Amerikën e Veriut e Evropë, sipas një studimi të ri të botuar nga “Microsofti” dhe vëzhguesi i internetit “Citizen Lab”.

Në raportin e fundit të “Citizen Lab” është thënë se janë identifikuar disa viktima civile, iPhonet e të cilëve janë hakuar përmes një softueri të zhvilluar nga kompania izraelite “QuaDream”, që rivalizonte Groupin NSO, që është futur në listë të zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në raportin e publikuar, Microsofti ka thënë se beson fuqishëm që programi i ri i spiunimit ka lidhje të fuqishme me “QuaDreamin”.

“Pegasus” quhej softueri që dikur dyshohej se po përdorej nga qeveri e agjenci shtetërore nëpër botë për t’i spiunuar telefonat e qytetarëve. Tani duket se kompania tjetër ka arritur të gjejë “vrima” në sigurinë e telefonave të gjigantit, Apple dhe ka shitur programin në disa qeveri të botës.

“QuaDream”, një kompani izraelite, ka zhvilluar një spiun të quajtur “Reign”, e që ka ngjashmëri me “Pegasusin”.

Vegëza ia mundëson Qeverisë të monitorojë rivalët potencialë duke përcjellë aktivitetet e tyre.

Raporti ka theksuar se “QuaDream” ka shitur produktet e veta, përfshirë “Reignin”, në “klientët qeveritarë” në Singapor, Arabi Saudite, Meksikë dhe Ganë.

Raporti ka vënë në pah se janë shfrytëzuar “gabimet” në iOS 14.4 dhe 14.4.2, duke shfrytëzuar disa “ftesa të padukshme” në kalendarin në iCloud, të dërguara nga operatori i programit të spiunimit, në pajisjen e viktimës. Pra, virusi hynte në telefon pa dijeninë e përdoruesit dhe funksiononte “i padukshëm”. Ata që kanë përditësuar sistemin e iOS-it nuk janë të rrezikuar nga ky virus.

Ngjashëm si “Pegasusi”, sapo të instalohet “Reign” mund t’i incizojë thirrjet telefonike, t’i shfrytëzojë fotografitë përmes kamerës, t’i gjenerojë fjalëkalimet në mbrojtjen e dyfishtë e të monitorojë lokacionin.

Deri tash raportohet se janë identifikuar të paktën pesë viktima, përfshirë gazetarë, politikanë e punonjës të organizatave joqeveritare në disa vende të botës.

Izraeli në vazhdimësi është përballë me kritika për programe të tilla spiunimi.

Kompania që pati lëshuar “Pegasusin” është duke u përballur me akuzë nga Apple.