Tech

Airbnb i mbyll shërbimet në Kinë, shkak masat anti-COVID

Airbnb ka marrë vendim t'i mbyllë shërbimet e qirave në Kinë, pas vendimit të autoriteteve që masat anti-COVID të vazhdojnë. Siç raportoi BBC-ja të martën, deri në verë, të gjitha listat për lëshim të shtëpive do të hiqen nga faqja e internetit të kompanisë.

Nëpërmjet shërbimeve në Kinë, Airbnb fitonte rreth 1 për qind të të ardhurave gjatë viteve të fundit.

Kompania pritet që në vend të kësaj, të fokusohet te banorët kinezë që udhëtojnë jashtë vendit për në destinacione të tjera.

Përpara pandemisë, turistët kinezë që shkonin jashtë vendit ishin trefishuar në më pak se një dekadë, duke arritur në 155 milionë udhëtime në vitin 2019, sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara.