Grupi bankar britanik, TSB, u ka bërë thirrje mediave sociale dhe aplikacioneve të takimeve për të mbrojtur më mirë përdoruesit e tyre nga profilet e rreme për shkak të një rritjeje alarmante të mashtrimeve të takimeve romantike.
Duke analizuar të dhënat nga dhjetori 2020 deri në janar 2022, TSB zbuloi se mashtrimet romantike ishin pothuajse dyfishuar në krahasim me nivelet para pandemisë, me një rritje rekord prej 91 për qind.
Sipas hulumtimit të TSB-së, në 32 për qind të rasteve - pothuajse një në tre raste - mashtruesit morën para nga viktimat për më shumë se dy javë përpara se viktimat të kuptonin se ishin viktima të mashtrimeve të dashurisë. Më shumë se një e katërta (27%) e “marrëdhënieve të rreme” zgjatën më shumë se një muaj, ndërsa 11% zgjatën më shumë se gjysmë viti.
Sipas psikologut Sam Owen, sa më gjatë të zgjasin këto “marrëdhënie”, aq më shumë dëshiron viktima ta bëjë atë të funksionojë dhe aq më e vështirë është për të që të thotë “jo”.
“Gjëja kryesore është që ta kuptoni sa më shpejt se personi me të cilin po flisni është një mashtrues”, ka thënë ai.
Njohja fillestare e këtyre “marrëdhënieve” u bë përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të takimeve, me Facebook si faqja e “takimit fatal” që shfaqej në më shumë se një të tretën (35%) të të gjitha rasteve të mashtrimit. Pasohet nga Tinder (24%), Plenty of Fish (21%), Match.com (9%), Olderdating (3%), Bumble (3%) dhe Instagram (3%).
Sipas hulumtimit, të gjitha grupmoshat janë të prirura për t'u bërë viktimë e këtij mashtrimi. TSB thotë se ka rimbursuar viktimat e moshës 18 deri në 77 vjeç. Mosha mesatare e viktimave të raportuara nga grupi bankar është 47 vjeç.
Gratë janë viktima në 66% të rasteve të mashtrimit në lidhje me marrëdhëniet e dashurisë. Statistikisht, ato humbasin mesatarisht 6.300 funte krahasuar me humbjen mesatare prej 4.600 funte kur burrat janë viktima të mashtrimit.
TSB thotë se vetëm 35% e fondeve të humbura në mashtrimet romantike u kthehen viktimave.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.