Tech

Musk largon nga puna pastruesit e Twitterit, u thotë se do t’i zëvendësojë me robotë

Pastruesit në selinë e Twitter-it në San Francisko i kanë thënë BBC-së se janë pushuar nga puna pa pagesë.

Njëri prej tyre i tha BBC-së se një anëtar i ekipit të Elon Muskut kishte thënë se punët e tyre do të zëvendësoheshin me robotë. Ndërkaq, një senator i shtetit të Kalifornisë tha se Musku po e trajtonte ish-stafit "si mbeturina".

Avokati i qytetit të San Franciskos, David Chiu, tha se po heton nëse Musku ka shkelur ligjin.

“Elon Musk ka pasur një histori të gjatë të shkeljes së ligjeve të punës”, tha Chiu.

BBC-ja ka folur me katër pastruese që thonë se u pushuan nga Twitteri të hënën. Adrianna Villarreal, e cila ka punuar për Twitter për katër vjet, tha se tani është e shqetësuar se nuk do të ketë para të mjaftueshme për të ushqyer familjen e saj gjatë Krishtlindjeve.

“Është një gjë e trishtueshme dhe frustruese për familjet dhe fëmijët tanë”, ka thënë ajo.

Olga Miranda, presidente e sindikatës së pastruesve, tha se ata organizuan një grevë të hënën për të protestuar. Më pas, pastruesve iu tha se ishin pushuar nga puna menjëherë, ka bërë të ditur ajo.

Themeluesi i Teslas e ka blerë Twitterin në vlerë prej 44 miliardë dollarësh. Që kur e ka marrë në dorë platformën, Musku ka pushuar nga puna shumë punëtorë.