Tech

Musku po planifikon të tërhiqet nga drejtimi i Twitterit

Elon Musku ka deklaruar të mërkurën se po planifikon ta reduktojë kohën e tij në Twitter dhe se eventualisht mund të caktojë një lider që ta udhëheq kompaninë e rrjetit social.

Musku ka shtuar se po shpreson që ta kompletojë riorganizimin e kompanisë këtë javë, raportoi Reuters të mërkurën.

Musk i bëri këto komente ndërsa dëshmonte në një gjykatë në Delaware për t'u mbrojtur kundër pretendimeve se paketa e tij e pagave prej 56 miliardë dollarësh në Tesla bazohej në objektivat e performancës së lehtë për t'u arritur, dhe ishte miratuar nga një bord drejtorësh.

Investitorët e Teslas kanë qenë gjithnjë e më të shqetësuar për kohën që Musku po i kushton kthimit në Twitter. Ndërkaq, aksionet e Tesla ranë për 3 për qind në mesditën e së mërkurës.

"Ka një shpërthim fillestar të aktivitetit të nevojshëm pas blerjes, për të riorganizuar kompaninë. Por më pas pres të reduktoj kohën time në Twitter”, ka thënë Musku në deklaratën e tij.

Njeriu më i pasur në botë po ashtu ka thënë se disa inxhinierë të Teslas kanë asistuar në zhvillimin e ekipit inxhinierik të Twitterit, mirëpo kjo sipas tij është bërë në baza vullnetare.

Dy javët e para të miliarderit në Twitter janë shënuar me ndryshime të shpejta në kompani dhe krijim të kaosit.

Musku e ka larguar nga puna shefin ekzekutiv të Twitterit dhe zyrtarë të tjerë drejtues e më pas ka larguar nga puna edhe shumë punëtorë.