Tech

Shtetet Arabe kërkojnë që Netflixi të heqë përmbajtjen që konsiderohet fyese

Shtetet Arabe kanë kërkuar që gjiganti amerikan i transmetimit Netflix, të heqë përmbajtjen që konsiderohet ofenduese për vlerat islame dhe shoqërore në këtë rajon, shkroi të martën Reuters.

Rregullatori i medias në Arabinë Saudite nuk specifikoi përmbajtjen, por përmendi se përfshinte përmbajtje që synonin fëmijët.

Televizioni shtetëror saudit Al Ekhbariya, në një program që diskutonte këtë çështje, shfaqi klipe animacioni të paqartë që dukej se tregonin dy vajza të përqafuara.

Deklarata e Komisionit të Përgjithshëm për Media Audiovizive me bazë në Riad tha se përmbajtja shkel rregullat e medias në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, i cili grupon Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Omanin, Katarin dhe Kuvajtin.

“Nëse Netflix vazhdon të transmetojë përmbajtjen, atëherë "do të merren masat e nevojshme ligjore", ka thënë ky komision.

Emiratet e Bashkuara Arabe lëshuan një deklaratë të formuluar në mënyrë të ngjashme lidhur me përmbajtjen e Netflixit të martën, duke thënë se do të ndjekë atë që Netflixi transmeton në ditët në vijim për të ndërmarrë veprime.

Marrëdhëniet e të njëjtës gjini janë kriminalizuar në shumë kombe me shumicë myslimane dhe filmat që shfaqin marrëdhënie të tilla janë ndaluar në të kaluarën nga rregullatorët në ato vende, ndërsa të tjerët me sharje ose përdorim të paligjshëm të drogës ndonjëherë censurohen.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtetet e tjera myslimane në fillim të këtij viti ndaluan filmin artistik të animuar të Walt Disney-Pixar "Lightyear" të shfaqej në kinema, sepse shfaq personazhe në marrëdhënie me të njëjtën gjini.