Tech

Facebooku dështon t’i zbulojë dezinformatat për zgjedhjet në Brazil

Descriptive Text

Rrjeti social Facebook ka dështuar të zbulonte dezinformatat që lidhen me reklamat sa u përket zgjedhjeve të këtij viti në Brazil, që do të mbahen më 2 tetor, shkroi të hënën Associated Press.

Sipas një raporti të publikuar nga Global Witness, është konsideruar alarmant vazhdimi i një modeli të moskapjes së materialeve që shkelin politikat e kësaj platforme.

Reklamat përmbanin informacion të rremë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të vendit, të tilla si promovimi i datës së gabuar të zgjedhjeve, metodat e gabuara të votimit, vënia në pikëpyetje e integritetit të zgjedhjeve, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit në Brazil.

Kjo është hera e katërt që kompania Meta është testuar për rregullat e saj, teksa edhe në testimin e fundit ka dështuar.

Në tri rastet e mëparshme, Global Witness paraqiti reklama që përmbanin gjuhë të urrejtjes për të parë nëse kontrollet e Facebookut, do t'i vërenin ato, por se një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Facebooku e ka identifikuar Brazilin si një nga vendet e tij prioritare ku po investon burime të veçanta posaçërisht për të trajtuar dezinformimin lidhur me zgjedhjet. Kështu që ne donim të testonim vërtet sistemet e tyre me kohë të mjaftueshme që ata të vepronin”, tha Jon Lloyd, këshilltar i lartë në Global Witness.

Zgjedhjet e përgjithshme në Brazil do të mbahen më 2 tetor, mes tensioneve të larta dhe dezinformatave që kërcënojnë të diskreditojnë procesin zgjedhor.

Facebooku është platforma më e njohur e rrjeteve sociale në këtë vend.

Në një deklaratë, Meta tha se është përgatitur plotësisht për zgjedhjet e vitit 2022 në Brazil.

“Kemi lansuar mjete që promovojnë informacion të besueshëm dhe etiketojnë postimet e lidhura me zgjedhjet, kemi krijuar një kanal të drejtpërdrejtë për Gjykatën e Lartë Zgjedhore për të na dërguar përmbajtje potencialisht të dëmshme”, tha kompania.