Një gjykatë ruse gjobiti të enjten platformat sociale WhatsApp të Metas dhe Snapchatin për një refuzim të pretenduar për të ruajtur të dhënat e përdoruesve rusë brenda vendit, njoftuan agjencitë e lajmeve, shkruan Reuters.
Moska është përplasur me “Big Tech” [gjigantët teknologjikë] për përmbajtjen, censurën, të dhënat dhe përfaqësimin në mosmarrëveshjet që janë përshkallëzuar që kur Rusia dërgoi forcat në Ukrainë më 24 shkurt.
Gjykata e Moskës gjobiti WhatsAppin me 18 milionë rubla (301.255 dollarë) dhe Snapin me 1 milion rubla, raportuan agjencitë e lajmeve. WhatsApp u gjobit për të njëjtën shkelje gushtin e kaluar.
Rusia kufizoi qasjen në platformat kryesore të Metës në Facebook dhe Instagram, si dhe në rrjetin social Twitter, menjëherë pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, një lëvizje që kritikët e kanë konsideruar si një përpjekje nga Rusia për të ushtruar kontroll më të madh mbi rrjedhat e informacionit.
Meta u shpall fajtore për "veprimtari ekstremiste" në Rusi dhe apeli i tyre u refuzua në qershor, por Moska e ka lejuar WhatsAppin të mbetet i disponueshëm në vend.
Sipas vendimit, kur i referohemi Metës në sferën publike, organizatave dhe individëve u kërkohet të përfshijnë mohimin se aktivitetet e Metës janë të ndaluara në territorin rus.
LinkedIn i Microsoftit është bllokuar në Rusi prej vitesh, pasi një gjykatë zbuloi se shkelte rregullin e ruajtjes së të dhënave, i cili u miratua në vitin 2015.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.