Tech

Elon Musk s’do ta ketë lehtë me robotët e Twitterit

robotet, twitteri, elon musk, lajme teknologjike, analize

Elon Musk mund ta gjejë një mënyrë për t’i vërtetuar pretendimet e tij se numri i llogarive robotë në Twitter, është më i lartë sesa pretendojnë udhëheqësit e rrjetit social, thuhet në një analizë të publikuar nga Reuters të mërkurën.

Musk tha se marrëveshja e tij prej 44 miliardë dollarësh për ta blerë Twitterin mund të mos vlejë më në rast se kompania nuk ka prova të mjaftueshme t’i vërtetojë pohimet se numri i llogarive robotë në Twitter është më pak se 5 për qind. Sipas Musk, numri i tyre është të paktën katër herë më i madh dhe se ai do t’i mundë “robotët” me çdo kusht.

Analistë dhe studiues të mediave online thonë se 9 deri në 15 për qind e miliona profileve në Twitter janë robotë, derisa Twitteri ka njoftuar se nëpërmjet një analize do ta saktësojë këtë shifër.

Mohimet e Twitterit i japin kompanisë mbrojtje ndaj padive të mundshme, që mund të vijnë qoftë nga Musk apo ndonjë aksionar tjetër, thanë katër ekspertë të ligjit.

Mirëpo, Twitteri mund të rrezikohet nga ndonjë paditës nëse thuhet se kompania me bazë në San Francisko të SHBA-së, po kërkon që me dashje t’i mashtrojë investitorët. Pos kësaj, një zëdhënës i Twitterit tha se bordi i kompanisë po planifikon që ta përfundojë marrëveshjen me Elon Musk, me çmimin e rënë dakord (44 miliardë v.j), dhe të zbatojë marrëveshjen.

Një pengesë tjetër për Musk do të jetë heqja dorë nga kujdesi i duhur kur negocioi marrëveshjen me kompaninë. Kjo do ta bëjë më sfiduese për Muskun nëse palët do të takohen në gjykatë. Siç shkruan Reuters, Musk mund të largohet apo ta rinegociojë marrëveshjen me Twitterin për një çmim më të ulët, edhe nëse ligji është në anën e kompanisë. Nëse nuk merret vesh me drejtuesit e kompanisë, drejtorit të Teslas, do t’i duhet t’i paguajë dëmshpërblim Twitterin.

Çështja e llogarive të rreme dhe “spam” është e rëndësishme për Twitterin. Në vitin 2018, kompania pësoi rënie të aksioneve pasi kreu një spastrim të llogarive të automatizuara (të njohura si robotë v.j.), duke bërë kështu që 1 milion përdorues aktivë të bien.

Robotët në Twitter janë pajisje softuerike të programuara për të krijuar opinion publik nëpërmjet "cicërimave". Postimet e publikuara zakonisht përmbajnë informacione të rreme, gjysmë të vërteta dhe lajme propaganduese.

Robotët e Twitterin ndahen në “trollë” dhe “botë”. Trollët janë persona real që menaxhojnë profile, duke u shprehur prapa emrave të rrejshëm, ndërsa botët janë programe kompjuterike.