Kompania amë e Facebookut, “Meta”, ka njoftuar se nuk është duke kërcënuar me largim nga Evropa dhe se asnjë raportim për këtë çështje s’është i vërtetë.
“Ka pasur raportime në media se ne po ‘kërcënojmë’ me largim nga Evropa për shkak të pasigurisë në mekanizmat e transferimit të të dhënave mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo s’është e vërtetë. Sikurse të gjitha kompanitë publike, ne jemi të detyruar të hapim materialin që rrezikon investitorët tanë. Javën e shkuar, siç kemi bërë edhe në katër mujorët financiarë paraprakë, ne kemi shpalosur pasigurinë e vazhdueshme se mekanizmat e transferimit të të dhënave SHBA-BE janë kërcënim për mundësitë tona që t’u shërbejmë konsumatorëve në Evropë dhe të operojmë aty”, thuhet në reagim të “Metas”.
Kjo kompani megjithatë ka thënë se s’ka asnjë dëshirë për largim nga BE-ja.
“Megjithatë, realiteti është se ‘Meta’, sikur shumë biznese, organizata e shërbime tjera, bazohet në transferimin e të dhënave mes BE-së dhe SHBA-së në mënyrë që të operojmë me shërbimet tona botërore. Ne s’jemi të vetëm”, ka thënë kompania duke shtuar se shqetësimin e njëjtë e kanë edhe 70 kompani në industri të ndryshme.
Kompania e udhëhequr nga Mark Zuckerberg ka shtuar se bizneset duan më shumë qartësim nga autoritetet për sigurinë e të dhënave.