Tech

Kompania e Elon Muskut po përgatitet të testojë mikroçipet te njerëzit

Kompania Neuralink, që është në pronësi të njeriut më të pasur në botë, Elon Musk, po përgatitet të testojë mikroçipet te njerëzit. Bëhet fjalë për mikroçipe të destinuara për trurin e njeriut.

Neuralink u themelua në vitin 2016 me qëllim të zhvillimit të teknologjive që do t'u mundësojnë njerëzve plotësisht të paralizuar që përmes mendimeve të tyre të manovrojnë, për shembull me celularët, madje edhe më shpejtë se ata që nuk janë të paralizuar.

Kompania ka futur tashmë me sukses mikroçipe në trurin e majmunit Pager dhe në trurin e derrit Gertrude. Tash po përgatitet të testojë këto çipa te njerëzit.

Neuralink tha se ata që do të marrin pjesë në testim do të bashkëpunojnë, siç thuhet, me disa nga inxhinierët më novatorë dhe më të mirë. Musk, pasuria e të cilit kap vlerën e 256 miliardë dollarëve, tha muajin e kaluar se është optimist në parashikimin se këto implante mund të mundësojnë tetraplegjikët të ecin.

Ai shpreson se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave do të miratojë përdorimin e këtyre çipave.

"Unë mendoj se me Neuralink ne kemi shans për të bërë sërish funksional trupin e dikujt që ka pësuar dëmtim të shtyllës kurrizore. Neuralink është funksional te majmunët. Po bëjmë shumë testime dhe konfirmojmë se implanti është shumë i sigurt dhe i besueshëm si dhe mund të hiqet në mënyrë të sigurt”, tha Musk.

Megjithatë, sipas gazetës britanike “Guardian”, ky multimiliarder, i cili drejton kompaninë e veturave elektrike “Tesla” dhe atë të hapësirës “SpaceX”, ka një histori të gjatë premtimesh të mëdha në lidhje me këtë kompani. Tre vjet më parë, ai besonte se implantet e para në kokën e njeriut do të vendoseshin në vitin 2020. Ndër të tjera ai theksoi se implantet do të mbusheshin me valë.

Vitin e kaluar, Neuralink publikoi një video që tregonte një majmun duke luajtur videolojën Pong me ndihmën e një çipi të integruar. Ai e luajti lojën vetëm duke përdorur mendjen e tij. /klix