Tech

Apple u kthehet planeve për mbushës të vetëm për tri pajisje të ndryshme

Gjiganti teknologjik, Apple, raportohet se është duke punuar ende në një mbushës pa kabllo por që do të shërbente për shumë pajisje. Kurorëzimi i kësaj do të çonte në rikthim të planit të anuluar të kompanisë për “AirPower”.

Siç shkruan “Bloomberg”, kompania po synon që në një pajisje të vetme të arrijë të mbushë me bateri iPhonen, AirPods, dhe Apple Watchin.

Më 2017, krahas iPhone X, Apple pati prezantuar edhe mbushësin AirPower, por produkti dështoi për shkak të problemeve me zhvillim dhe në fund u anulua.

Tani kompania raportohet se po synon rikthim të planeve me një mbushës që do ta mundësonte mbushjen pa kabllo për pajisje të ndryshme.

Që nga anulimi i AirPower, kompania ka lëshuar disa produkte, sikur mbushësi dual për iPhone dhe Apple Watch. Por AirPower është një sipërfaqe e vetme mbushëse që mund të shërbejë për shumë pajisje.