Tech

“Instagrami” dhe të rinjtë: Si t’i mbajmë fëmijët të sigurt

Descriptive Text

“Modelet që i krijojnë fëmijët si adoleshentë qëndrojnë me ta për pjesën tjetër të jetës së tyre”, ka thënë Frances Haugeni, ish-nëpunësja e “Facebookut”, gjatë dëshmisë së saj para Senatit të martën. “Fëmijët që ngacmohen në “Instagram”, ngacmimi i ndjek ata në shtëpi. Ai i ndjek në dhomat e tyre të gjumit. Gjëja e fundit që ata shohin para se të shkojnë në shtrat gjatë natës është dikush që është mizor ndaj tyre”, ka theksuar Haugen

Për shumë prindër, zbulimet e kësaj jave të Frances Haugenit që i shpërfaqin studimet e brendshme të “Facebookut” lidhur me dëmet e “Instagramit” për adoleshentët, vetëm sa i kanë shtuar shqetësimet në lidhje me aplikacionin e famshëm.

“Modelet që i krijojnë fëmijët si adoleshentë qëndrojnë me ta për pjesën tjetër të jetës së tyre”, ka thënë Haugeni, ish-nëpunësja e “Facebookut”, gjatë dëshmisë së saj para Senatit të martën.

“Fëmijët që ngacmohen në ‘Instagram’, ngacmimi i ndjek ata në shtëpi. Ai i ndjek në dhomat e tyre të gjumit. Gjëja e fundit që ata shohin para se të shkojnë në shtrat gjatë natës është dikush që është mizor ndaj tyre”, ka theksuar Haugen.

“Fëmijët po e kuptojnë se miqtë e tyre, njerëzit për të cilët kujdesen, janë mizorë me ta. Pra, çfarë mund të bëni për t’i mbrojtur fëmijët tuaj? Ekspertët thonë se linjat e hapura të komunikimit, mosha e kufizuar dhe nëse është e nevojshme, monitorimi i aktivitetit janë disa nga hapat që prindërit mund të ndërmarrin për t’u ndihmuar fëmijëve t’i kuptojnë rreziqet e mediave sociale, ndërkohë që i lejojnë të bisedojnë me bashkëmoshatarët sipas kushteve të tyre.

A është 17-shi, 13-shi i ri?

A keni menduar ndonjëherë pse kërkohet mosha 13-vjeçare për t’u kyçur në “Instagram” dhe aplikacione të tjera të mediave sociale?

Për shkak të Aktit të Mbrojtjes së Privatësisë së Fëmijëve në internet që hyri në fuqi në vitin 2000 - para se adoleshentët e sotëm të kishin lindur (dhe kur shefi ekzekutiv i “Facebookut”, Mark Zuckerberg, ishte adoleshent vetë).

Qëllimi ishte që të mbrohej privatësia e fëmijëve në internet, duke kërkuar që faqet e internetit dhe shërbimet online të shfaqnin politika të qarta të privatësisë dhe ta merrnin pëlqimin e prindërve para se të mblidhnin informata personale për fëmijët e tyre.

Për të qenë në përputhje, kompanitë e mediave sociale në përgjithësi i kanë ndaluar fëmijët nën 13 vjeç që të regjistrohen në shërbimet e tyre, megjithëse është dokumentuar gjerësisht që fëmijët regjistrohen gjithsesi, me ose pa lejen e prindërve.

Por kohët kanë ndryshuar dhe privatësia në internet nuk është më shqetësimi i vetëm kur bëhet fjalë për fëmijët që kalojnë kohë në internet.

Ekziston bulizmi, ngacmimi dhe, siç ka treguar edhe vetë kërkimi i “Facebookut”, rreziku i zhvillimit të çrregullimeve të ngrënies, mendimeve vetëvrasëse ose edhe më keq.

Në dëshminë e saj, Haugeni ka sugjeruar për rritjen e kufizimit të moshës në 16 apo edhe 18 vjeç. Ka pasur tentim nga disa prindër, edukatorë dhe ekspertë të teknologjisë që të presin për t’u dhënë fëmijëve telefona - dhe qasje në mediat sociale - derisa ata të rriten, siç është zotimi “Prisni deri në 8” që prindërit nënshkruajnë një zotim se nuk do t’u japin fëmijëve telefon të mençur deri në klasën e 8-të.

Por as kompanitë e mediave sociale dhe as qeveria nuk kanë bërë asgjë konkrete për ta rritur kufirin e moshës.

“Nuk ekziston medoemos një moshë magjike”, ka thënë Christine Elgersma, eksperte e mediave sociale në “Common Sense Media”. Por, ka shtuar ajo, “13 vjeç ndoshta nuk është mosha më e mirë për fëmijët që të bëhen pjesë e mediave sociale”.

Është ende e ndërlikuar. Nuk ekziston ndonjë mënyrë e besueshme për ta verifikuar moshën e një personi kur regjistrohet për aplikacione dhe shërbime online. Dhe aplikacionet që janë të famshme në mesin e adoleshentëve sot fillimisht u krijuan për të rriturit. Kompanitë kanë shtuar disa masa mbrojtëse gjatë viteve, ka theksuar Elgersma, por këto janë ndryshime të pjesshme, jo rishikime themelore të shërbimeve.

“Krijuesit duhet të fillojnë të ndërtojnë aplikacione duke i pasur fëmijët në mendje”, ka thënë ajo. Dhe jo, nuk e ka fjalën për Instagram Kids, projekti i ‘Facebookut’ që u ndal javën e kaluar për shkak të reagimeve. “Nuk mund t’i besojmë një kompanie që nuk filloi duke menduar për të mirën e fëmijëve”, ka thënë ajo. “Facebooku” ka thënë se është shtuar një mori masash mbrojtëse dhe veçorish për ta përmirësuar mirëqenien e adoleshentëve në “Instagram” gjatë viteve, të tilla si mbështetja e shëndetit mendor për njerëzit që kërkojnë hashtag-ët e zakonshëm, që lidhen me çrregullimet e të ngrënit ose lëndimin e vetvetes. Kompania gjithashtu e testoi fshehjen “pëlqimeve”, “që do të thotë kur postoni diçka, nëse jeni i ri, nuk keni pse të shqetësoheni se sa njerëz do ta pëlqejnë postimin tuaj dhe nëse njerëzit do ta shohin”, ka thënë Monika Bickert, shefja e “Facebookut” për menaxhimin e politikave globale. Por, studiuesit e “Facebookut” zbuluan se fshehja e pëlqimeve nuk u ka ndihmuar adoleshentëve që të ndihen më mirë.

Flisni, flisni, flisni

Filloni herët, më herët sesa mendoni. Elgersma sugjeron që prindërit të rrinë në mediat sociale me fëmijët e tyre para se të jenë mjaftueshëm të rritur për të qenë në internet dhe të kenë diskutime të hapura për gjërat që shohin. Si do ta trajtonte fëmija juaj një situatë kur një mik i një shoku i kërkon të dërgojë një fotografi? Apo nëse shohin një artikull që i zemëron aq shumë sa që duan ta ndajnë menjëherë? “Nëse adoleshentët po ju japin përgjigje të shkurtra, është mirë t’i pyesni se çfarë po bëjnë miqtë e tyre ose thjesht duke mos u bërë pyetje të drejtpërdrejta si: “çfarë po bëni në Instagram?, por “hej, kam dëgjuar se ky person është vërtet i famshëm””, ka sugjeruar ajo.

“Dhe edhe nëse fëmija juaj i rrotullon sytë, mund të jetë një dritare. Mos thoni gjëra të tilla si “fikeni” kur fëmija juaj është duke kaluar shumë kohë në rrjete sociale”, ka thënë Jean Rogers, drejtori i “Fairplay”-t, organizatë jofitimprurëse që i mbron që fëmijët të kalojnë më pak kohë në pajisjet digjitale.

Përktheu: Liridona Bytyçi